Ballina Aktualitet

Rama: Influencë e drejtpërdrejtë ruse në Shqipëri

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Erseka foli sot për influencë ruse në Shqipëri, duke e lidhur atë me lajmet e pavërteta në medie, si dhe financimin e PD-së.

“Është një situatë në të cilën duhet një mirëkuptim i madh për faktet. Nuk mundet dot të themi: jo s’ka lidhje. Aq më tepër, në vend që të informojmë njerëzit, të krijojmë kushtet për të rënë dakord për faktet e një lufte që na sulmon jo me bomba, por përmes energjisë dhe inflacionit, rrisim dozën e helmit, dezinformimit dhe ligësisë në raport me publikun, përmes deklaratash që janë shpifje të ulëta dhe përmes pasqyrash mediatike që i reflektojnë ato lloj shpifjesh dhe i shtojnë ato më shumë“, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, këto nuk janë të rastësishme dhe as interes i vogël pushteti apo paraje.

“Kjo është influencë e drejtpërdrejtë ruse në Shqipëri. Kur ne e kemi ngritur problemin e parave ruse që financonin PD, na thanë janë shpifje të Edi Ramës dhe Sorosit. Mirëpo na doli në raportin e CIA-s. Dhe po ju them është vetëm maja e ajsbergut. Historia e zhytjes së asaj partie në thesin e rublave, as nuk filloi me atë që dimë dhe dini, as nuk ka mbaruar me atë. Është një aleancë rublash, mes të dy atyre partive dhe të cilave ju bëjnë jehonë disa pasqyra të shtrembëruara mediatike që helmojnë pa pushim me shpifje nga më banalet”, deklaroi Rama.

Duke folur për shtrembërimin e fakteve, Rama tha se “deklarojnë se ikën 700 mijë shqiptarë nga 2008-2020 dhe nxjerrin lejet e qëndrimit, ndërkohë që e dimë të gjithë që lejet e qëndrimit nuk përkojnë me njerëzit e ikur po atë vit, pasi duhen vite për t’i marrë ato”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama-fermerëve: Pajisuni me NIPT për të përfituar nga skemat mbështetëse
Artikulli tjetërROMË – ISTAT: Ekonomia italiane rritet 0,5% në T3 2022