TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Ilir Meta u zgjodh sot kryetar i Partisë së Lirisë me 719 vota pro dhe 3 kundër.
Partia e Lirisë zhvilloi sot Konventën Kombëtare teksa u zgjodhën edhe anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e PL, Silva Caka u shpreh se, “votimet për Kryetarin e Partisë së Lirisë dhe anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar, u hapën në orën 12:55 dhe u mbyllën në orën 18:15. Votimet u kryen në përputhje të plotë me normat e Statutit dhe me vendimet e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë.
Gjatë procesit të votimit nuk u konstatua asnjë parregullsi dhe procesi u mbyll pasi votoi edhe delegati më i fundit”.
“Në votim kanë marrë pjesë 722 delegatë. Në votimin për Kryetarin e Partisë së Lirisë, morën pjesë 722 delegatë, nga të cilët 719 votuan pro kandidatit për Kryetar të Partisë së Lirisë, Ilir Metaj dhe 3 delegatë votuan kundër. Nga rezultati, Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë, shpall fitues për postin e Kryetarit të Partisë, Ilir Metaj”, tha Caka.
“Në votimin për anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, morën pjesë 722 delegatë dhe pas verifikimit dhe llogaritjes së rezultateve, në përputhje me vendimin e Konventës, u zgjodhën 236 anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, numër të cilit i shtohen edhe 5 anëtarë, të cilët janë pa votim (ex-officio), ku përfshihen 4 deputetët e Partisë së Lirisë dhe kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim. /j.p/























