Ballina Ekonomi

Rama-fermerëve: Ngrini pika grumbullimi me bashkitë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot fermerëve në Fier të bashkëpunojnë me bashkinë për të ngritur pika grumbullimi.

Në fjalën e tij gjatë takimit me fermerët fierakë, Rama tha se “kemi nevojë për një sistem të ri tregjesh, tregje të cilat të jenë në dispozicionin tuaj shumë më tepër seç janë tregjet ekzistuese, që janë shumë të shtrenjtë dhe ju kushtojnë probleme. Për këtë kemi 5 të parët që janë projektuar financuar dhe shumë shpejt do të jenë në dispozicion”.

“Më në fund kryetarët e bashkive e kanë kuptuar, bashkimet duhen për të ndërtuar pika grumbullimi, pika agropërpunimi aty ku ka ende nevojë, pa ndenjur e të presim se kur të vijë një sipërmarrës ta ndërtojë. Qeveria nuk ndërton dot pika grumbullimi, nuk e bën asnjë vend i botës. Pikat e grumbullimit i ndërtojnë ata të cilët i shfrytëzojnë sipërmarrësit ose shoqëritë e përbashkëta mes jush e bashkisë. Keni nevojë për një pikë grumbullimi, mblidhuni me kryetarin e bashkisë, ju të vini një lek, kryetari i bashkisë të vendosë tre lekë dhe të bëni një aplikim të merrni mbështetje nga fondet europiane përmes AZHBR-së ose nga kredia me garanci sovrane e qeverisë. Për këtë iniciativën duhet ta marrë bashkia”, nënvizoi Rama.

“Shikoni se çfarë transformimi keni këtu. Nga momenti kur e filluam këtë bashkë, këtu ishin me gishtat e dorës pikat e grumbullimit. Këtu s’bëhej fjalë, jo në këtë zonë, por në këtë sektor të gjeje fermerë me NIPT se u thoshin mos u regjistroni, jeni njerëz të lirë rrini në hije se pastaj do vijën t’iu marrin gjithë çfarë keni”, vijoi ai.

Sot, vijoi Rama, kemi 82 mijë fermerë të regjistruar dhe ndryshe nga çfarë ju thanë, sot jeni të vetmit fermerë në Europë dhe rajon që nuk paguani asnjë taksë, sepse ende nuk është koha për të kërkuar ndaj jush asnjë taksë.

“Ja ku jeni sot jo vetëm 82 mijë të regjistruar nga thuajse fare, po sa shumë pika grumbullimi, përpunimi të cilat janë të pamjaftueshme në rast se ne mendojmë ku mund të arrijmë dhe ku do të arrijmë, kur ne mendojmë ta çojmë në 1 miliard eksportin bujqësor.
Në kaq pak vite në krahasim me kaq shumë probleme të trashëguara pamë se ne mund t’ia dalim bashkërisht me durim”, tha Rama.

Më tej Rama tha se “kemi ende sisteme rrugësh në funksion të bujqësisë për të bërë edhe duhet t’i bëjmë”.

“Por kur më thonë disa që nuk e kanë idenë se s’ka rrugë në fshat, nuk është bërë asnjë rrugë në fshat. Natyrisht ka rrugë të pabëra në fshat. Por ne e kemi ndryshuar qasjen. Të gjitha ndërhyrjet i kemi bërë në funksion të prodhimit, turizmit. Aty ku janë tokat, ku është puna dhe ku mund të krijohet punë më shumë”, shtoi ai.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReagimet e opozitës për vdekjen e 32-vjeçarit, Rama: Hijena që ndezin zjarrin e urrejtjes ndaj Policisë
Artikulli tjetërKOMENT – Meloni gazetarja e shndërruar në kryeministre