Ballina Ekonomi

Balluku: Në tetor qytetarët konsumuan 5% më pak energji se vitin e kaluar

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Zv.kryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, “në 17 ditët e para të tetorit, qytetarët kanë konsumuar 5% më pak energji në krahasim me vitin e kaluar”.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, mbi debatin për çmimin e energjisë elektrike, theksoi se “çelësi i suksesit për të përballuar këtë krizë është kursimi”.

Duke iu referuar akuzave të opozitës Balluku tha se, “ju vazhdoni të talleni dhe dezinformoni njerëzit. Sot po minoni një nga aktivitetet më të rëndësishme, kursimin e energjisë dhe jeni të investuar të gjithë për të ndaluar këtë proces. Nga 1-17 tetor kemi 5% më pak konsum krahasuar me një vit më parë. Kjo vjen nga sjellja e qytetarëve që ju i nxisni të mos i marrin parasysh masat e kursimit. Ju jeni opozita e rublave. Ju po i bëni thirrje njerëzve që të mos kursejnë. Ne themi kurseni, fikni dritën, mbyllni derën e frigoriferit. Ju i thoni të mos kursejnë. Kjo është arrogancë”.

Sipas saj “ne e kemi nisur kursimin nga vetja, kurse qytetarët nuk po i detyrojmë, por po i sensibilizojmë. Fakti që krahasuar me tetorin 2021, konsumatorët shqiptarë kanë konsumuar 5% më pak është për tu përshëndetur dhe na jep shpresë. Në 30 shtator kishim motin që përmirësoi liqenin e Fierzës, Komanin dhe Vaun e Dejës dhe duke pasur të dhënat që konsumi u ul qeveria mori vendim të mos e aplikonte fashën 800 kWh”.

Në përgjigje të deputetit të opozitës Xhelal Mziu për HEC-et e vogla, ministrja Balluku tha se “që prej vitit 2019 nuk janë dhënë leje për ndërtimin e HEC-eve të vogla”.

Balluku vlerësoi kontributin e tyre në prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike në vend teksa shpjegoi se, “për çdo kilovat orë energji që prodhojnë këto HEC-se, ata subvencionohen nga shteti. Ndaj ato nuk janë investime private”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak30-vjetori i Gjykatës Kushtetuese, Rama: Kremtojmë fillimet e kushtetueshmërisë si garanci e lirive individuale
Artikulli tjetërITALI – Meloni: Kush nuk është dakord me BE-në dhe NATO-n jashtë qeverisë sime