Ballina Aktualitet

Malltezi: Tre kallëzime penale për Ahmetajn në SPAK

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi u shpreh sot në një deklaratë nga selia e PD se, ka tre kallëzime penale ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

“Pas Alqi Bllakos, që ‘u qeras’ me “arrest shtëpie”, megjithëse numri i veprave penale të tij është i gjatë sa një listë hit parade në MTV, radhën e ka sot ‘tigri i korrupsionit’, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Tre janë kallëzimet penale ndaj tij: Shpërdorim i Detyrës. Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Krijimi grupit të strukturuar kriminal”, u shpreh Malltezi.

“Është fakt se në dy ministri të ndryshme, Arben Ahmetaj ka pranuar, dhe më pas ka firmosur, financimin me 53 milionë euro për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. Arben Ahmetaj ka miratuar modelin financiar për inceneratorin e Tiranës. 2 nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për rastin e Tiranës janë të emëruar nga Arben Ahmetaj”, tha Malltezi.

“Është fakt që në kohën e vlerësimit të ofertave për Tiranën, Arben Ahmetaj ishte me pushime me 2 nga pronarët e ardhshëm të inceneratorit të Tiranës, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Për këtë ekziston vendimi i Gjykatës së Kumanovës, ku Ahmetaj u aksidentua se bashku me Mirel Mertirin”, shtoi ai.

“Ahmetaj nuk e ka mohuar kurre aksidentin, por nuk ka dhene asnjehere shpjegime per marredhinien me Mertirin. Gjithashtu Ahmetaj ka patur ortakeri me Mirel Mertirin dhe Klodian Zoton ne kompanine e tij “Hermes”. Arben Ahmetaj gjithashtu ka angazhuar fondet buxhetore duke garantuar mbeshtetje buxhetore për Inceneratorin e Tiranes, dhe duke ja kaluar të gjithë riskun shtetit, duke garantuar çdo qindarke për Koncensionarin e Tiranës”, tha Malltezi.

Malltezi u shpreh se, “Partia Demokratike e ka denoncuar vazhdimisht putrën e tigrit në dokumente e shtetit dhe në xhepat e shqiptarëve. SPAK, jo nga frika prej tigrit, por prej shefit të tij, i ka shpërfillur provat duke e lënë veten të ekspozuar ndaj dyshimeve të publikut. Vjedhja me djegësat në tre qytete kryesore të Shqipërisë vazhdon si të ishte një orë e pagabueshme zvicerane”.

“Pronarët janë në kërkim, por paratë i marrin. Paratë merren, por inceneratori i Tiranës nuk ekziston, dhe i Elbasanit nuk punon. Ku shkojnë paratë, atëherë? Sa herë që kërkojmë emrin e atij që është në krye të punëve, na del Edi Rama. Nëse, siç thotë vetë naltgjatësia e tij, përgjegjësitë nuk janë kolektive, atëherë barra për kolektivin e prishur e të korruptuar i takon përgjegjësit. Prapë na del emri i Edi Ramës. Por, në radarin e SPAK, ASPAK”, përfundoi Malltezi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKomisionieri i BE-së: Kosova ta realizojë axhendën e reformës së BE-së
Artikulli tjetër7470 aplikime për subvencion, 30 mijë ha më shumë me grurë