Ballina Ekonomi

7470 aplikime për subvencion, 30 mijë ha më shumë me grurë

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Në mesin e muajit tetor deri nga fundi i nëntorit, nis sezoni i mbjelljes së grurit.

Qeveria mbështet këtë vit me subvencione fermerët, në vlerën e 30,000 lekëve për jo më pak se 1 ha sipërfaqe të mbjellë grurë, për shkak edhe të krizës së grurit që nisi me luftën Rusi-Ukrainë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, skema synon rritjen e të mbjellave me grurë, por edhe lehtëson kostot e fermerëve nga shtrenjtimi i çmimeve të inputeve bujqësore.

Sipas MBZHR, në këtë skemë aplikuan 7470 fermerë, për 40 % të sipërfaqes së tokës bujqësore që mbillet me grurë (ose 30,000 ha). Në vendin tonë për vitin 2021 sipërfaqja e mbjellë me grurë shënoi 54,514 ha me një prodhim prej 225,171 tonë.

Numri aktual i aplikimeve sipas Ministrisë së Bujqësisë tregon se interesi është i lartë, pasi edhe skema krijon avantazh. “Nuk përfiton kush aplikon i pari, por ai që mbjell sipërfaqe të lartë (jo më pak se 1 ha) pasi aplikon dhe dorëzon dokumentacionin për blerjen e farës dhe inputeve bujqësore, ndihma financiare prej 30,000 lekë do t’i disbursohet brenda 31 dhjetorit 2022”, thekson MBZHR.

Aplikimet për subvencion nisën më 1 shtator dhe vijuan deri më 23 shtator 2022.

Të dhënat e MBZHR tregojnë se, sipërfaqja totale bujqësore e shfrytëzuar në Shqipëri është 1,174,081 hektarë, e strukturuar: 611,346 ha tokë arë (50,7%), kullota dhe livadhe janë 478,081 ha (40,7 %), dhe 84,654 ha (7,2%) janë kulturat shumëvjeçare.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMalltezi: Tre kallëzime penale për Ahmetajn në SPAK
Artikulli tjetërVarhelyi paraqet raportin e KE-së: Shqipëria vijoi progresin, rezultate të prekshme