Ballina Aktualitet

Bashkëpunimi në Drejtësi, Manja takon Kurtin

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Gjatë vizitës që po zhvillon në Kosovë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Në këtë takim janë biseduar disa çështje me rëndësi në fushën e drejtësisë, teksa Kosova ka nisur hapat e parë të Reformës në Drejtësi dhe procesin e Vetting-ut.

Kurti është interesuar për rrugëtimin e Shqipërisë përgjatë Reformës në Drejtësi dhe vetingut, ndërkohë që Manja ka ofruar gjithë përvojën, burimet njerëzore dhe ekspertizën më të mirë në ndihmë të këtyre proceseve në Kosovë.

“Ishte kënaqësi dhe nder që ta mikpres ministrin e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, ministrin Manja, me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ai është vazhdimisht në komunikim të vazhdueshëm dhe në bashkërendim me ministren tonë të Drejtësisë, Haxhiu. Qëllimi i këtyre takimeve dhe bashkëpunimeve është që të lehtësohet edhe zbatimi i drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë duke bashkëpunuar, por edhe të harmonizojmë dhe sinkronizojmë sistemet duke nxjerrë edhe mësime nga proceset që kemi zhvilluar qoftë në Shqipëri dhe qoftë në Kosovë”, tha pas takimit kryeministri i Kosovës Kurti.

Ndërkohë, nga ana e tij, ministri shqiptar i Drejtësisë falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen.

“Ishte një takim vëllazëror. Ishte një bashkëbisedim i hapur për të gjitha temat që lehtësojnë komunikimin dhe jetën e qytetarëve tanë në të dy vendet respektive dhe në fund u dakordësuam se Drejtësia dhe Sundimi i Ligjit janë themele të sigurta që garantojnë mirëqenien e qytetarëve tanë. Shqipëria sigurisht do të ofrojë ekspertizën më të mirë në ato fusha ku ne kemi bërë më progres, por sigurisht edhe do të marrim eksperiencën më të mirë që ka Kosova në disa fusha të tjera ku progresi i saj është i dukshëm”, tha Manja.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSektori bankar, i mirëkapitalizuar ndaj goditjeve makroekonomike
Artikulli tjetërLeku forcohet kundrejt monedhave të huaja