TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi dje takimin e radhës me temë “Hapat që duhet të ndërmerren pas zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, në të cilën është i ftuar Gunther Krichbaum, Raportuesi i CDU-së për Ballkanin Perëndimor.
Në takim morën pjesë drejtuesit e organeve të pavaruara të drejtësisë: Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alfred Balla, Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Në nisje të takimit mbajtën fjalë përshëndetëse Kryetarja e KKIE-së, Jorida Tabaku dhe nënkryetari Taulant Balla, të cilët theksuan rëndësinë e momentit në të cilën ndodhet vendi pas zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, si dhe falenderuan Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Kryetarja e KKIE-së, Jorida Tabaku, në fjalën e saj, vlerësoi se pas çeljes së negociatave Shqipëria duhet të ndërmarrë një udhëtim serioz drejt BE-së, duke garantuar pavarësinë e institucioneve, krijimin e një tregu konkurues, ndërtimin e një demokracie funksionale dhe reale për familjet dhe sipërmarrjet.
Ndër të tjera, Tabaku theksoi se, Reforma në Drejtësi pati për qëllim krijimin e institucioneve, jo vetëm për të garantuar sundimin e ligjit, por dhe për të krijuar një shoqëri që ofron drejtësi dhe dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Pasi i njohu të pranishmit me punën e nisur nga komisioni i posaçëm për amendimin e ligjit për rolin e Parlamentit për çështjen e integrimit Europian, Tabaku theksoi se, këto hapa do të forcojnë më tej rolin e Kuvendit për të drejtuar këtë proces që është i shqiptarëve dhe jo vetëm i qeverisë.
Duke garantuar se opozita do të bashkëpunojë për të çuar përpara reformat që kërkohen referuar procesit të integrimit evropian, Tabaku nënvizoi nevojën e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë dhe institucioneve e tjera, sepse qytetarët shqiptarë duhet ta kuptojnë se çfarë përfitimesh apo kostosh do të kenë gjatë këtij procesi.
Në përfundim, Tabaku vlerësoi kontributin e dhënë nga Gjermania për integrimin e Shqipërisë, por dhe Ballkanit Perëndimor në BE.
Nënkryetari i KKIE-së, Taulant Balla, në nisje të fjalës së tij falenderoi mbështetjen e qartë dhe të vendosur të treguar nga Gjermania dhe CDU për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, si dhe vlerësoi mesazhin e fortë të dhënë nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, sidomos pas situatës së re gjeopolitike të krijuar pas agresionit rus në Ukrainë.
Balla vlerësoi se, nevojitet që Shqipëria të ketë akses të shpejtë në: fondet strukturore; fondet e kohezionit social, njëkohësisht harmonizimin e plotë me politikën e çështjeve të jashtme të BE, si dhe mundësinë per integrimin e shqiptarëve në tregun e punës së BE.
Në përfundim, Balla vlerësoi mbështetjen e kahershme të Budenstagut dhe Gjermanisë, për të cilën theksoi se mbetet një nga donatorët më të mëdhenj të Shqipërisë, duke investuar 1.2 mld euro në sektorë të rëndësishëm: ujësjellës-kanalizime, energji,etj.
Gunther Krichbaum, Raportuesi i CDU-së për Ballkanin Perëndimor në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se qëllimi i vizitës së tij është inkurajimi i klasës politike dhe qeverisë për të tejkaluar me sukses sfidat me të cilat shoqërohet procesi i integrimit.
Ndër të tjera Krichbaum vlerësoi se, Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdhenj dhe progres në drejtimin e duhur, duke inkurajuar që të vijohet në punën e mirë të nisur për tërheqjen e investitorëve të huaj, por dhe luftën kundër korrupsionit dhe ndërmarrjen e reformave.
Ndër të tjera Krichbaum nënvizoi se, procesi i negociatave do të varet nga ecuria e reformave të ndërmarra, ndaj nevojitet që të mos vendosen data ekzakte për anëtarësim, për të mos zhgënjyer pritshmëritë e qytetarëve.
Më pas drejtuesit e organeve të pavarura të drejtësisë: Arben Kraja, Drejtues i SPAK, Naureda Llagami, Kryetare e KLGJ, Alfred Balla, Kryetar i KLP, Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ndan dhe diskutuan mbi disa nga arritjet dhe sfidat me të cilat përballen për plotësimin e rekomandimeve dhe detyrimeve për anëtarësimin e vendit në BE.
Në diskutim u përfshinë edhe anëtarë të tjerë të KKIE: Gjergji Vurmo, Drejtor Ekzekutiv i IDM, dhe deputetet Grida Duma dhe Mimi Kodheli.














