Ballina Bota

FOKUS – Biden: Do të falim të gjithë të dënuarit për posedim marijuane

UASHINGTON, 7 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se do të falë të gjithë personat e dënuar për akuzat federale të posedimit të marijuanës, një veprim që Shtëpia e Bardhë thotë se do të prekë më shumë se 6 500 persona.

Masa, e shpresuar nga shumë aktivistë demokratë, vjen rreth një muaj përpara zgjedhjeve afatmesme që do të vendosin nëse partia e Bidenit do të jetë në gjendje të mbajë kontrollin e Kongresit.

“Siç thashë kur kam kandiduar për president, askush nuk duhet të jetë në burg vetëm për përdorimin ose posedimin e marijuanës”, theksoi Biden.

“Në shumë shtete dhe të dhënat kriminale për posedimin e marijuanës kanë çuar në barriera të panevojshme për punësimin, strehimin dhe mundësitë për arsimim”, shtoi ai.

“Ndërsa të bardhët dhe njerëzit me ngjyrë përdorin marijuanë në ritme të ngjashme, kur ndiqen penalisht dënohen me ritme joproporcionale”, shtoi presidenti.

Biden u bëri thirrje të gjithë guvernatorëve që të ndiqnin drejtimin e tij dhe tha se do t’i kërkonte Prokurorit të Përgjithshëm dhe Departamentit të Shëndetit të rishikonin klasifikimin e marijuanës në ligjin federal si një drogë e Tabelës 1, të njëjtin klasifikim si heroina dhe LSD./   /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDrejt fundit punimet restauruese në urën Jesir, monument kulture
Artikulli tjetërKrichbaum: Shqipëria, hapa të mëdhenj dhe progres në drejtimin e duhur