TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre.
Ministrja Kushi bëri të ditur se, pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve.
Kushi vuri në dukje se çështjet e parashtruara në proces draftimi janë:
– mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
– rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;
– rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;
– rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;
– si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.
Ministrja deklaroi se, ndërkohë do të vazhdojë dialogu për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit.
“Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës”, deklaroi ministrja.
/r.e/






















