TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Policia ka sekuestruar në Tiranë 2 tonë naftë të kontrabanduar, duke vënë në pranga 47-vjeçarin që e mbante naftën në një depozitë në banesë, me qëllim tregtimin e saj.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas tregtonte naftë të kontrabanduar, në banesën e tij, në Kashar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Diesel 3”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 47 vjeç, banues në Kashar, pasi në ambientet e jashtme të banesës së tij u konstatua një depozitë metalike, e mbushur me 2000 litra naftë, të dyshuara të kontrabanduara.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 47-vjeçari e mbante naftën e kontrabanduar, me qëllim tregtimin e saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/j.p/r.e/























