Ballina Flash

MFE: Arkëtohen në buxhet 30 miliardë lekë nga tatimi mbi fitimin

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 30 miliardë lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se të ardhurat nga ky zë rezultuan 8.4 miliardë lekë ose 38.6% më shumë se 8-mujori 2021, si dhe 143 milionë lekë ose 0.5% më shumë se plani i vitit 2022 për tatimin mbi fitimin.

Rritja e nivelit të të ardhurave të mbledhura nga ky zë, lidhet me një fitim më të lartë të bizneseve për shkak të rritjes së çmimeve, i diktuar nga kriza, aksioni antiinformalitet i administratës tatimore dhe pagesa në kohë e kësteve nga ana e tatimpaguesve, duke qenë se një vit më parë për shkak të pandemisë ka pasur vonesa të konsiderueshme, ku dhe u aplikua amnisti për gjobat e vendosura.

Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit dhe sektori i ndërtimit patën rritjen më të lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Tatimit mbi fitimin i nënshtrohen personat juridikë dhe ortakëritë që janë regjistruar për TVSH-në, personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë, çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur ky është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Qeveria është angazhuar që biznesi i vogël të vijojë të ketë tatimfitimin zero, deri në vitin 2029./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjirokastra, një nga qytetet që ka përfituar më shumë nga Bonusi i Rijetësimit
Artikulli tjetërRama: Aksion i madh mjedisor në Ditën Botërore të Pastrimit