TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin tonë, 80-vjetori i Konferencës së Pezës është përkujtuar sot në Pezë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, deputeti i PS, Toni Gogu, prefekti i Tiranës Afrim Qendro, veteranë dhe familje dëshmorësh.
Në emër të bashkisë së Tiranës, nënkryetari Andi Seferi vlerësoi Konferencën e Pezës si një moment të rëndësishëm që e renditi Shqipërinë krah fituesve.
“Në emër të bashkisë së Tiranës, në emër të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, do të doja të përshëndesja ngrohtësisht veteranët, familjet e dëshmorëve dhe përfaqësuesit e organizatave që vijojnë të punojnë çdo ditë, vullnetarisht në nderim të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ”, theksoi Seferi.
Ai nënvizoi se Konferenca e Pezës mishëron vlerat më të larta të kombit tonë dhe të unitetit. “Këtë vit Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Rinia jonë, duke ndjekur shembullin e etërve të tyre, e transformoi këtë vit në ura lidhëse, duke bashkuar aspiratat dhe ëndrrat e tyre me ato të të rinjve nga e gjithë Europa dhe duke e kthyer vitin 2022 një kartolinë të bukur për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, shtoi Seferi.
Për të përkujtuar këtë ngjarje, bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh deri në mbrëmje, ku në skenë do të ngjiten dhe “Tre Musketjerët”.
/j.p/r.e/






















