TIRANË, 16 shtator /ATSH-I.Vata/ Partia e Lirisë deklaroi sot se nuk ka asnjë informacion nga autoritetet në lidhje me anijen me 2275 tonë naftë që u sekuestrua në Portin e Durrësit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një deklarate u shpreh se kjo përbën një shkelje flagrante të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit për embargon ndaj Libisë.
“Deri tani nuk ka asnjë informacion nga autoritetet shtetërore, në veçanti nga institucionet e sigurisë kombëtare mbi këtë ngjarje kaq të rëndë, që përbën një shkelje flagrante të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit për embargon ndaj Libisë. Skandali bëhet edhe më i rëndë në rrethanat kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB, të cilin edhe e ka drejtuar. Në këtë situatë që e vë Shqipërinë në pozicionin më të shëmtuar në raport me partnerët ndërkombëtarë, por mbi të gjitha në raport me veten, është një detyrim kushtetues që Qeveria, Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria dhe institucionet e tjera përgjegjëse të sigurisë dhe inteligjencës të sqarojnë sa më parë se: E informuar që 48 orë më parë nga agjencitë partnere për mbërritjen e anijes, përse u lejua futja e saj në ujërat territoriale shqiptare?Kush ishte porositësi apo porositësit e kësaj sasie të madhe nafte, që më pas rezultoi se ishte kontrabandë? Cila ishte agjencia doganore që do të kryente procedurat për ankorimin e anijes deri në shkarkimin e saj në depozitat e naftës në Porto Romano? Përse Policia e Shtetit deri më tani ka arrestuar vetëm libianët dhe sirianët që shërbenin në anije dhe askënd tjetër nga ata që e kanë porositur ngarkesën duke i dhënë garanci të marrë detin për ditë të tëra nga Libia në Durrës? Cili është roli i luajtur nga agjencitë shqiptare të sigurisë dhe inteligjencës pasi situata rëndohet nga fakti që tentativat për kontrabandën e naftës janë një rast i përsëritur, çka do të thotë se thyerja e embargos ka qenë e vazhdueshme”, tha ai.
Blushi shton se, është e qartë pra se ka patur një arsye shumë të fortë për kompaninë shqiptare të kthejë kësaj here mbrapsht, në momentin e fundit, ngarkesën, që në total vlerësohet të kapë një vlerë rreth 4.2 milionë dollarë.
“Arsyeja ka qenë jo nga institucionet shqiptare të sigurisë dhe të inteligjencës por nga agjencitë e vendeve partnere. Pra po të mos ishte për to, kontrabanda dhe thyerja e embargos do të vazhdonte si më parë.Porositja e naftës nga Libia nuk është i vetmi rast në këto muaj, sepse edhe më herët, të tjera sasi nafte nga ky shtet janë porositur për tregun shqiptar. Skandali thellohet dhe rëndon edhe më shumë përgjegjësinë e institucioneve të sigurisë kombëtare dhe të inteligjencës, sepse futja e naftës kontrabandë në Shqipëri është një shkelje shumë e rëndë, jo vetëm për ligjet e vendit që parashikojnë nga gjobë deri në 7 vite burg, por mbi të gjitha është shkelur Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 2644 (2022), pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, e cila miratoi unanimisht zgjatjen e embargos së naftës dhe produkteve të tjera me Libinë deri në 30 tetor të vitit të ardhshëm. Kush i ka dhënë garanci porositësit apo porositësve shqiptarë të shkelnin embargon e naftës nga Libia? Kush i njoftoi ata për sinjalizimin e anijes nga shërbimet partnere, çka i detyroi në momentet e fundit të refuzonin ngarkesën? Kush e dekonspiroi paralajmërimin e shërbimeve partnere dhe në këmbim të çfarë? Përse institucionet heshtën në dy rastet e para, kur ende ishte në fuqi Rezoluta e Këshillit të Sigurisë për embargon e naftës dhe produkteve të tjera me Libinë? Nëse institucionet shqiptare janë në dijeni se cila kompani është furnizuar me naftë kontrabandë nga ana e Libisë, a janë hetuar dhe a janë vendosur para përgjegjësisë? Është e qartë se Edi Rama është bekuesi dhe përfituesi kryesor i kontrabandës së naftës në Shqipëri, përgjegjësi për të cilën ai shumë shpejt do të japë llogari para popullit shqiptar dhe drejtësisë së pa kapur. Ora e llogaridhënies po afron”, u shpreh ai.
/r.e/






















