Ballina Aktualitet

Roli i Kuvendit në integrimin në BE, konstituohet komisioni i posaçëm parlamentar

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Në drejtimin e dy bashkëkryetarëve Jorida Tabaku dhe Taulant Balla, u zhvillua mbledhja e parë konstituuese e komisionit të posaçëm parlamentar “Për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr. 15, datë 5.03.2015, ‘Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian’”.

Në nisje të mbledhjes, Tabaku parashtroi qëllimin e ngritjes së komisionit, përbërjen e tij dhe theksoi nevojën për rishikimin e legjislacionit aktual dhe forcimin e rolit të Kuvendit në këtë moment të rëndësishëm në procesin e integrimit, pas zhvillimit të Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

“Kemi të gjithë përgjegjësinë ligjore dhe politike për të propozuar që Parlamenti i Shqipërisë të jetë i përfshirë në procesin e  integrimit; E unë besoj se i kemi instrumentet, vetëm duhet të forcojmë rolin e tyre dhe duhet të shohim se si këto instrumente të ngritura, qoftë Komisioni parlamentar i Integrimit Evropian, qoftë KKIE, mund të luajnë një rol më të përforcuar në këtë proces, për të qenë në mbështetje, por jo vetëm, të kontrollit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së këtij procesi”, u shpreh Tabaku duke garantuar më tej angazhimin maksimal të saj dhe opozitës në këtë komision, për të bërë të mundur që procesi  i integrimit evropian të jetë jo thjesht një prioritet i Parlamentit të Shqipërisë, por të kthehet në një frymë të administratës publike, të të gjithë politikave që duhet të ndërmerren, por mbi të gjitha në një kulturë pune të institucionit të Kuvendit.

“Besoj se ndryshimet në ligj, do t’i hapin rrugë rritjes së rolit të Parlamentit dhe të mos jemi vetëm si një noter që kalojmë ligjet e radhës, por të mbajmë qëndrimet tona politike dhe jo vetëm”, përfundoi Tabaku.

Në fjalën e tij Balla parashtroi nevojën për rishikimin e legjislacionit aktual dhe forcimit më tej të rolit udhëheqës të Kuvendit në këtë proces, rol të cilin tashmë e ka të garantuar përmes instrumentit të KKIE, ku të gjitha autoritetet duhet që në mënyrë periodike të raportojnë lidhur me hapat e ndërmarra në ecurinë e procesit, por edhe të bëhen pjese e diskutimit të strategjisë apo të dokumenteve të tjera të rëndësishëm.

Duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të opozitës në proces, Balla theksoi se zhvillimi i Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe startimi i bisedimeve zyrtare me BE, duhet të kuptohet si një përgjegjësi e shtuar nga ligjvënësit.

“Ky komision u ideua si një komision mazhorancë- opozitë në mënyrë të barabartë, sepse e tillë është nevoja e këtij procesi. Duhet të jemi të gjithë të barabartë në pjesëmarrje dhe në përgjegjësi në këtë proces. Besoj se shumë shpejt, duhet të kalojmë në fazat e tjera, në atë të përzgjedhjes së ekspertëve, të partnerëve në këtë proces dhe mendoj që së pari Delegacioni i BE, ambasada të caktuara të vendeve anëtare të BE, qoftë ata që kanë eksperiencat, qoftë ato që kanë kaluar përmes këtij procesi. Besoj se ky është nga ato raste ku jemi të gjithë me të njëjtin qëllim”, u shpreh Balla duke nënvizuar se, brenda pak kohësh duhet të krijohet një bazë ligjore të mirë për tu paraqitur për shqyrtim në Kuvend.

Më pas Tabaku njoftoi përbërjen e Sekretariatit Teknik që do të asistojë komisionin e posaçëm në kryerjen e aktivitetit të tij. Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr 15, datë 5.03.2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit të RSH në BE” bashkëdrejtohet nga Jorida Tabaku dhe Taulant Balla dhe ka në përbërje si anëtarë: Etilda Gjoni,  Toni Gogu, Gerta Duraku, Kreshnik Çollaku, Mesila Doda dhe Fatmir Mediu.

Afati i veprimtarisë së këtij komisioni është përcaktuar një periudhë 2-mujore nga hyrja në fuqi e vendimit.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFestivali “Digital Nomads”: Shqipëria dhe gjithë Ballkani po njohin vrull teknologjik
Artikulli tjetërSTRASBURG – BE detajon taksat për kompanitë e energjisë