TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi mori pjesë sot në Kongresin Kombëtar të Arsimit në panelin me temë “Digjitalizimi në Arsimin e Lartë, sfidë dhe mundësi për Institucionet e Arsimit të Lartë”.
Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi foli për transformimin digjital që po ndodh në vend.
“Deri tani është bërë një punë e kënaqshme nga universitetet shqiptare gjatë procesit të aplikimit online të maturantëve. Dhe pikërisht ky digjitalizim e ka bërë më të lehtë gjithë këtë proces, i cili ka hedhur bazat për të pasur një sistem të strukturuar e të plotë të resurseve arsimore digjitale, e që duhet vazhduar të punohet fort në këtë drejtim”, tha Ekonomi.
“Duhet punuar akoma më shumë dhe pa humbur kohë në përmirësimin e hapësirës digjitale arsimore, e cila erdhi si rrjedhojë e kushteve të krijuara nga pandemia, në përshpejtimin e procesit të kalimit online jo vetëm të mësimdhënies. Ky realitet i ri që po krijohet duhet të bëjë të mundur lidhjen dhe bashkëveprimin mes arsimit të lartë dhe tregut të punës, dhe do të mundësojë një pasqyrim më të saktë të këtij informacioni që procesohet”, theksoi Ekonomi.
“Ekonomia globale sot po kalon në sfida të mëdha, të cilat po e orientojnë atë drejt trazicionit tween, e për këtë arsye Shqipëria po bën përpjekje që të jetë gati në këtë treg mjaft konkurrues. Zhvillimi i aftësive digjitale po bëhet një komponent i rëndësishëm në çdo fazë të arsimimit në vend, duke u bërë kështu jo vetëm konkurrues, por edhe përgatitjen e të rinjve në përdorimin sa më efikas të e-shërbimeve, që ofrohen sot të gjitha online”, u shpreh Ekonomi.
/j.p/r.e/













