Ballina Ekonomi

Ekonomi në Forumin Ekonomik dhe të Mjedisit në Pragë

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi ishte sot në Pragë, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik dhe të Mjedisit, organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), “Promovimi i sigurisë dhe stabilitetit në vendet e OSBE-së, përmes rimëkëmbjes ekonomike të qëndrueshme nga pandemia e COVID-19”.

Ky takim përmbyllës u organizua si rezultat i dy takimeve të mëparshme të Vjenës (Austri) 14-15 shkurt dhe Lodzit (Poloni) 23-24 maj, ku u diskutuan objektivat dhe nevojat që kanë të 57 vendet anëtare të OSBE-së në aspektin ekonomik, mjedisor dhe sfidat e sigurisë në kohën që po kalojmë, duke ndarë praktikat më të mira të secilit vend, informoi Ekonomi në një postim në rrjetet sociale.

Gjatë fjalës së saj në panelin me temë “Inovacioni për rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme”, Ekonomi ndau me të pranishmit, politikat dhe masat lehtësuese që ndërmori qeveria shqiptare për të përballuar, jo vetëm pasojat e tërmetit të vitit 2019, por edhe efektet që shkaktoi mbyllja totale gjatë pandemisë COVID-19.

“Mbështetja që iu dha familjeve shqiptare dhe bizneseve ishin në fokus të prezantimit të paketave të rezistencës, të cilat luajtën një rol domethënës në përballimin e kësaj situatë të vështirë, të cilat në kontekstin e krizës energjetike që po kalon bota, ishin baza e politikave tona mbrojtëse për të mos lënë askënd dhe asnjë biznes vetëm dhe pa mbështetje, sikurse po bëhet aktualisht me paketën e radhës që qeveria shqiptare po ndërmerr”, u shpreh Ekonomi.

Ekonomi foli edhe mbi transformimin digjital që ka nisur në vend, për të garantuar marrjen e shërbimeve publike për këdo dhe kurdo pa qenë nevoja të ballafaqoheshin me burokracinë dhe humbjen e kotë të kohës nëpër radhë që nuk mbaronin asnjëherë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Industria e shqetësuar pas reduktimeve të furnizimeve me energji
Artikulli tjetërBM – Vdes mbretëresha Elizabeth II