TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Policia e Beratit është angazhuar maksimalisht për përballimin me sukses të fluksit të madh të mjeteve dhe qytetarëve që po marrin pjesë në pelegrinazh në Malin e Tomorit.
Masat e detajuara të marra nga DVP Berat, kanë bërë të mundur garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtyre ditëve, qarkullimin normal të mjeteve në ngjitje dhe në zbritje, parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë së këmbësorëve.
Përgjatë të gjitha akseve rrugore që të çojnë në Malin e Tomorit dhe në ambientet e jashtme të Teqesë, janë të vendosur punonjësit e Policisë, të cilët po mbikëqyrin dhe po menaxhojnë çdo situatë, si dhe po asistojnë dhe po japin ndihmë në çdo rast nevoje.
Policia e Beratit falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe mirëkuptimin, si dhe iu uroi pelegrinazh të mbarë në ditët në vijim.
/m.m/j.p/r.e/






















