TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Luiza Gega u rendit e pesta në finalen e 3000 metrave me pengesa në Botërorin e Atletikës, që po mbahet në Oregon të SHBA. Atletja shqiptare vendosi edhe rekord të ri kombëtar 9:10:04 duke e përmirësuar të mëparshmin me më shumë se 4 sekonda.
Suksesin e atletes Luiza Gega e ka përshëndetur edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Meta e ka vlerësuar renditjen e pesta në rang botëror, si një sukses të jashtëzakonshëm të kampiones.
“Urimet më të përzemërta për këtë arritje të shkëlqyer për Atletikën tonë”, shprehet presidenti Meta.
Ndërkohë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka garantuar mbështetjen e MAS.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vazhdojë të vlerësojë dhe mbështesë sportistët elitarë që përfaqësojnë denjësisht flamurin tonë kombëtar kudo në botë,” shkruan Kushi në rrjetet sociale.
Mbështetjen e konfirmon edhe vete sportistja, e cila i është përgjigjur menjëherë ministres me një koment. “Jam shumë e lumtur që sporti ka marrë vëmendjen e duhur. Faleminderit nga zemra!” shprehet atletja.
/r.e/


















