TIRANË, 12 korrik /ATSH-I.Vata/ Nën drejtimin e kryetares Klotilda Bushka u mblodh sot Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e projektligj për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici tha se “Ligji për Policinë Ushtarake ishte një risi për vetë strukturën e Policisë Ushtarake. Për herë të parë kjo strukturë do të funksiononte mbështetur në një akt ligjor të detikuar që për funksionimin, organizimin i Policisë Ushtarake”.
“Gjatë këtyre 7 vite funksionimi i këtij ligji ka hasur në vështirësi në lidhje me ekzekutimin e të gjitha atributeve që duhet të siguronte ky akt ligjorë Policisë Ushtarake në realizimin e misionit të saj”, tha ajo.
Bici shtoi se ndryshimi i këtij ligji vjen si pasojë e ndryshimeve në sistemin e drejtësisë dhe institucionet e tjera prokuroria, gjykata, krijimi i SPAK-ut, nxjerrja e ligjit për Policinë e Shtetit, institucione me të cilat Policia Ushtarake bashkëpunon.
“Qëllimi i ndryshimet ligjor është që mundësojë që gjithë struktura të realizojë misionin në mbështetje të ligjit dhe të rregullojë marrëdhëniet ligjzbatuese me institucionet e tjetra. Gjithashtu, disa shtesa janë gjykuar objektivisht të nevojshme për të trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë punonjësit ushtarakë dhe civilë që janë pjesë e strukturës së Policisë Ushtarake”, tha ajo.
Nga ana e saj, deputetja e PD-së Dhurata Çupi u shpreh se ligji nuk ka interes publik.
“Siç është bërë tashmë e udhës edhe ky është ligj me interesa korruptive. Është një ligj që vetëm interes publik nuk ka. Është ligj i varfër në terminologji. Është ligj me 15 nene, që megjithë atë që e kam thënë, që ju në 15 nene, vetëm një nen ju intereson, pra neni 10. Të tjerat janë zbukurime. Ka theks të fortë korruptiv. Neni 10, shkronja A, ndryshon ‘mbron pronën shtetërore policia ushtarake’ në ‘mbështet pronën shtetërore’. Nuk duhet të kalojë në komisionin e ligjeve. Kush i mbron tanimë pronat ushtarake, nëse nuk e bën policia ushtarake? Në shkronjën ‘k’, pas fjalëve “në mbrojtje të personaliteve ushtarake”, dhe ato civile, pse u dashka ministri të mbrohet me ligj të veçantë?”, tha Çupi.
Deputeti i PD-së Gazment Bardhi u shpreh se këto dy ditë opinioni publik është njohur me një rast të rëndë të një oficeri të ushtrisë shqiptare që ishte i atashuar pranë një operacioni të NATO-s në Holandë, i cili përveç detyrës së tij ushtarake gjatë orarit të punës, ishte i organizuar në veprimtari kriminale të lëndëve narkotike, i arrestuar.
“Para se ne të nisnim diskutimet duhet të kërkonim informacion për këtë rast, sepse i bie se i gjithë zinxhiri i Ministrisë së Mbrojtjes ka dështuar. Pra ne e kemi çuar në një bazë të NATO-s në Holandë dhe është i arrestuar si i dyshuar i përfshirë në trafikim droge. Ka patur një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, që në fakt nuk sqaronte asgjë, ku i bënte thirrje ushtarakut të kthehej në atdhe, ndërsa ai është i arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike, madje ishte administrator i një shtëpie bari. Dua të di, a ka bërë veprime Policia Ushtarake? A keni informacione për përfshirje të zyrtarëve të tjerë?”.
Bici u shpreh se “Forcat e Armatosura nuk mund të identifikohen me një rast të vetëm. Do ndiqen të gjitha hapat ligjorë dhe përgjegjësia është personale”.
/r.e/























