TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi sot se, do të vazhdojë të dorëzojë në SPAK të gjitha dokumentet për çështjen e inceneratorëve.
Në një deklaratë për mediet, Kryemadhi u shpreh se, “kryeministri Edi Rama në komisionin hetimor gënjeu kur tha që ka një investim prej 128 milionë eurosh nga kompania e inceneratorëve dhe që ne do të merrnim shërbimin me 29 euro tonin e plehrave”.
“Megjithatë, sapo u njoha me një deklaratë të kompanisë së inceneratorëve, e cila është një kompani që ka përfituar mbi 100 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, pa përmendur fare se çfarë ka përfituar nga kompanitë private që derdhin dherat dhe mbeturinat në landfillin e Tiranës, se incenerator atje nuk ka. Dhe qenkan shumë të shqetësuar, sepse nuk qenka e vërtetë. Kjo është një histori që SPAK-u do ta zbardhi, sepse çdo gjë po bëhet gati”, tha Kryemadhi.
“Ne jemi në SPAK, do të vazhdojmë të dorëzojmë të gjitha dokumentet në SPAK. SPAK-u është në momentin që të tregojë që është një arbitër i drejtë dhe është ajo reformë në drejtësi për të cilën kanë votuar deputetët shqiptarë me 140 vota dhe mbi të gjitha historia është që Edi Rama nuk mund të vjedhë 189 milionë dollarë me fatura, me letra, me fakte të marra nga buxheti i shtetit dhe të futura në xhepat e tij për të blerë edhe deklaratën e inceneratorëve që doli sot, për të blerë media, për të blerë gazetarë dhe për të blerë çdo gjë tjetër që i duhet për të larguar vëmendjen nga korrupsioni”, theksoi Kryemadhi.
/j.p/r.e/






















