Ballina Bota

FOKUS – Stoltenberg: Samiti i Madridit do të sjellë fuqizim të NATO-s në Evropën Lindore

MADRID, 29 qershor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e NATO-s pritet të nënshkruajnë në takimin e Madridit një fuqizim të aleancës në Evropën Lindore për të projektuar një pozicion të bashkuar në mes të pushtimit rus të Ukrainës.

”Vendimi që do të merret do të jetë një ndryshim themelor në parandalimin dhe mbrojtjen e Aleancës”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg u bëri jehonë komenteve të mëparshme përpara samitit duke e përshkruar masën si “rishikimin më të madh të parandalimit dhe mbrojtjes sonë kolektive që nga  Lufta e Ftohtë”.

Aleanca transatlantike ka vendosur të ketë më shumë pajisje pranë Rusisë, përfshirë armë të rënda, rritje të numrit të trupave shumëkombëshe të NATO-s në Evropën Lindore dhe zgjerim të forcave të reagimit të shpejtë, nga 40 000 në 300 000 trupa.

Aleatët e NATO-s janë ende duke finalizuar detajet e përbërjes së saktë të grupeve të zgjeruara të betejës në Evropën Lindore, me disa anëtarë të aleancës që përpiqen të shmangin bazat e përhershme të kushtueshme.

Vendet baltike, veçanërisht Estonia, e shtynë NATO-n të ndryshojë taktikat në dritën e pushtimit rus të Ukrainës dhe të kalojë në mbrojtjen e plotë të territorit të aleancës në Evropën Lindore duke zëvendësuar një model për të hequr dorë dhe më pas për të rifituar terrenin e humbur.

Projekti i sigurisë i aleancës për 10 vitet e ardhshme duhet ta renditë Rusinë si kërcënimin më të drejtpërdrejtë për NATO-n si dhe përballjen me Kinën, kjo për herë të parë./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBajpasi i Vlorës hapet përfundimisht më 9 korrik
Artikulli tjetërParaja elektronike, BSH-ja rregullore për mbikëqyrjen e institucioneve