Ballina Ekonomi

Bajpasi i Vlorës hapet përfundimisht më 9 korrik

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit, do të hapet përfundimisht në 9 korrik.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se në këtë vepër publike po kryhen punimet e fundit, ndërsa për pak ditë do të bëhet edhe hapja përfundimtare për qarkullimin e automjeteve.

Bajpasi i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.

Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakThirrja e 3-të e IPARD II, disbursohen grantet për 50 kontrata investimi në bujqësi
Artikulli tjetërFOKUS – Stoltenberg: Samiti i Madridit do të sjellë fuqizim të NATO-s në Evropën Lindore