Ballina Flash

Tabela informuese për turistët në kanionet e Osumit

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Kanionet e Osumit me madhështinë, lashtësinë, mitologjinë dhe bukurinë e tyre janë shndërruar në një destinacion turistik gjithmonë e më të pëlqyer për aventurierët e sporteve të “adrenalinës”.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Berat së bashku me Federatën Shqiptare të Raftingut vendosën sot tabela informuese për vizitorë vendas dhe të huaj, në dy prej pikave hyrëse tek Kanionet e Osumit.

“Këto tabela, në shqip dhe anglisht, informojnë vizitorët për shkallën e vështirësisë dhe si duhet të veprojnë, për të mos rrezikuar jetën”, shprehet ADZM Berat në një postim në rrjetet sociale.

Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ato janë formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë. Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara.

Pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Norvegjia rrit nivelin e alarmit pas sulmit vdekjeprurës terrorist
Artikulli tjetërGërmimet arkeologjike në Finiq, del në dritë një zonë monumentale