Ballina Aktualitet

Metani: Reformë e thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani deklaroi sot se, Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë.

Në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”, e cila po zhvillohet në Pallatin e Brigadave, Metani u shpreh se, “pavarësisht dallimit dhe diversitetit të kulturave tona politike, juridike, sociale apo ekonomike, historia në Evropë dhe jashtë saj po tregon se pavarësia e magjistratëve nuk duhet marrë si e mirëqenë, por mbetet një çështje që i përket të gjitha vendeve. Ky është standard i një dimensioni të përbashkët të shoqërive tona. Ky është një standard ndërkombëtar”.

“Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Të dyja nuk mund të ecin, përveç se bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq me demokratikisht ecën shoqëria. Të dyja këto standarde, cilësia e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve janë prioritet i të gjitha vendeve”, tha Metani.

Në këtë kuadër, shtoi ai, “gjetja e balancës midis interesit publik për administrimin e drejtësisë nga një anë dhe pavarësisë së magjistratëve nga ana tjetër, mbetet një sfidë permanente sepse pavarësia e magjistratëve dhe përgjegjshmëria e tyre, janë vlera dinamike. Zhvillimet shoqërore sjellin padyshim edhe transformime shoqërore dhe ekonomike dhe raporti pavarësi/përgjegjshmëri mbetet përherë sfidë profesionale dhe institucionale”.

“Drejtësia ka kontributin e vet në jetën dhe cilësinë e çdo shoqërie. Krijimi apo konsolidimi i shtetit të së drejtës nuk është një proces i lehtë. Në çdo vend ky është një proces dinamik dhe në evoluim të vazhdueshëm për gjetjen e mekanizmave të duhur, të cilat sigurojnë respektimin e një sërë standardesh apo vlerash për një sistem drejtësie efikas, të përgjegjshëm dhe të pavarur”, theksoi Metani.

“Shqipëria ka kryer një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë. Pikërisht për të gjetur këto mekanizma dhe për t’u përshtatur me stadin e zhvillimit të shoqërisë së saj. Kjo reformë u mbështet fort në çdo kuptim nga partnerë të vyer si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë sfida e zhvillimit të kësaj reforme është përgjegjësia e aktorëve të drejtësisë”, u shpreh ai.

“Në këtë kuadër, një konferencë si e sotmja në Tiranë me këtë tematikë të rëndësishme përtej diskutimeve me njëri-tjetrin, është një kontribut real për vizionin dhe punën e përditshme të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por besoj edhe për organet e tjera të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, nënvizoi ai.

“Respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës përbëjnë një aset kryesor për Bashkimin Evropian dhe ruajtja apo sigurimi i tyre përbën një përgjegjësi të përbashkët për të gjitha institucionet e BE-së, si dhe shtetet anëtare të tij. Megjithatë qasja ndaj tyre, nuk duhet të shihet si kufi, pengesë apo kusht ndaj shteteve të tjera jo anëtare, por si një simbol, i cili na bashkon të gjithëve ne. Evropa para se të jetë një projekt politik është një sistem vlerash njerëzore. Pasi në fjalët e Jean Monnet, Bashkimi Evropian nuk ka për qëllim bashkimin e shteteve, por mbi të gjitha bashkimin e njerëzve të cilët besojnë dhe jetojnë në sistemin e vlerave evropiane”, tha Metani.

Në këtë kuadër, shtoi ai, “besoj se të gjithë ne sot duhet të bashkëpunojmë. Të gjithë ne duhet të analizojmë, të marrim modelet më të mira të njëri-tjetrit, si dhe bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë në përputhje me vlerat tona të përbashkëta evropiane, pavarësisht dallimeve tona politike, ligjore apo sociale. Shpresoj që ky organizim për herë të parë në Shqipëri sot, jo vetëm t’i arrijë këto qëllime, por edhe të jetë pikënisja e një tradite, e cila të vijojë më tej”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPromovim i traditave të komunitetit egjiptian në Lezhë
Artikulli tjetërDraftligji për amnistinë fiskale, Vjero për ATSH-në: U morën në konsideratë rekomandimet e FMN-së