TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vazhdon informimin nëpër tregje ushqimore e supermarkete për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse që nuk plotësojnë kushtet.
Gjatë informimit, punonjësit e ministrisë i shpjegojnë qytetarëve dhe tregtuesve se është i ndaluar me ligj prodhimi, importimi dhe tregtimi i qeseve plastike mbajtëse me trashësi për çdo anë më të vogël se 70 mikron dhe me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kilogramë, me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi pa përfshirë gjerësinë e palosjeve.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i bën apel qytetarëve që për një mjedis më të pastër e shëndet më të mirë, të mos harrojnë të marrin me vete çantën prej tekstili, kur dalin nga shtëpia.
Prej 1 qershorit në Shqipëri është ndaluar përdorimi i qeseve plastike njëpërdorimshe.
/k.s/j.p/r.e/





















