Ballina Aktualitet

Ballkani Perëndimor dhe integrimi evropian, ndër prioritetet e Republikës Çeke

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli zhvilloi një takim me ambasadorin e Përhershëm dhe Fuqiplotë të Republikës Çeke në Tiranë, Karel Urban, me kërkesë të këtij të fundit.

Kodheli vlerësoi lidhjet e ngushta dhe miqësore, historike e tradicionale midis dy vendeve, të cilat këtë vit shënojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhëniet diplomatike.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme e uroi ambasadorin e Republikës së Çekisë për Presidencën e radhës së BE, për periudhën 1 korrik deri 31 dhjetor 2022.

Kodheli shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme që Çekia i ka dhënë Shqipërisë përgjatë tërë procesit të integrimit të saj euroatlantik si dhe vlerësimin për qëndrimin e vendosur në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ambasadori çek, pasi falënderoi për mikpritjen, u shpreh se gjatë muajve të parë të mandatit të tij kishte patur rastin të njihej me historinë dhe traditat e popullit shqiptar, si dhe me bukurinë dhe potencialin e vendit, çka përbën një interes të konsiderueshëm për investitorët çekë.

Më tej ai konfirmoi edhe një herë mbështetjen e plotë të vendit të tij për sa i përket proceseve integruese të Shqipërisë në BE dhe veçanërisht hapjes sa më parë të negociatave.

“Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij evropian është ndër prioritetet e Republikës çeke do të vazhdojë të mbetet i tillë edhe gjatë periudhës së presidencës çeke të BE”, u shpreh ambasadori Urban.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit folën mbi çështje të bashkëpunimit ndërparlamentar dypalësh dhe në kuadrin e Parlamentit evropian.

Gjithashtu bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën politike në Evropë e veçanërisht mbi pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe rrezikun e pasojat e politikës agresive të Rusisë në Evropë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProgrami i rimëkëmbjes, mbështetje 37 bizneseve në përmirësimin e menaxhimit
Artikulli tjetërAhmetaj: Reforma, kornizë e mirë ligjore për forcimin e administratës publike