Ballina Ekonomi

Shqipëria zeron tarifat e procedurave doganore me Kosovën

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot memorandumin për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për bashkimin doganor, ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj informoi se qeveria shqiptare ka marrë angazhimin të zerojë tarifat e procedurave doganore.

Ministrja Ibrahimaj tha se zerimi i procedurave doganore ka si qëllim lehtësimin maksimalisht të barrierave doganore dhe administrative.

Ibrahimaj theksoi se po punohet gjithashtu për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar (AEO).

“Sot nuk arritëm të nënshkruanim këtë marrëveshje për shkak të disa teknikaliteteve. Uroj që këto të zgjidhen para mbledhjes së ardhshme, pasi është një marrëveshje e rëndësishme për bizneset e mëdha të të dy vendeve, duke i lejuar të kalojnë pikat doganore pa kontroll”, tha Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë efikas dhe se tashmë edhe problematikat e skanimit të dyfishtë nuk ekzistojnë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfertave të Republikës së Kosovës, Hekuran Murati, tha se ky memorandum është hapi i parë konkret për bashkimin doganor, i cili konsiderohet i një interesi të lartë kombëtar.

“Bashkëpunimi doganor sjell përfitime të tilla, si shfrytëzimi i kohës në mënyrë më efektive, për shkak të lehtësimit të procedurave dhe zvogëlimit të kohës së pritjes për kamionët”, tha ai.

Sipas tij, ky studim pritet të jetë me interes për dyja palët dhe të ofrojë një pasqyrë të qartë për hapat që duhet të ndërmerren.

Të dy ministrat vlerësuan protokollin e bashkëpunimit mes administratave doganore për njohjen reciproke të plumbçeve, që u nënshkrua nga dy administratat doganore të premten, në Morinë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nuk ka çështje të hapura mes meje dhe Kurtit
Artikulli tjetërShqipëri-Kosovë, marrëveshje për heqjen e kontrolleve në kufi për festat zyrtare e fundjavave