TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Agroturizëm “Nëna Dashuri” në Peshkopi nisi fillimisht si një sipërmarrje e vogël familjare për prodhimin e jufkave të famshme dibrane, ndërsa u shndërrua më vonë në një bujtinë për pritjen e turistëve, falë edhe ndihmës së qeverisë përmes programeve të AZHBR.
Kryeministri Edi Rama ndau sot, përmes rrjeteve sociale, pamje nga ky agroturizëm, ku ndërthuren gatimet tradicionale me bukuritë e natyrës.
“Me një larmishmëri pijesh e gatimesh tradicionale të bëra me shumë dashuri nga gjyshja e shtëpisë, prej nga ka marrë edhe emrin bujtina, ushqimi këtu është një botë më vete shijesh për tu eksploruar, pa lënë mënjanë edhe natyrën përrallore me malin e Korabit, Drinin e Zi, liqenet si dhe llixhat kurative të Peshkopisë”, tha Rama.
Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një modeli të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.
Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.
/m.m/r.e/






















