TIRANË, 4 qershor /ATSH/Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pa përfundimit të seancës plenare në Kuvend ku Bajram Begaj u zgjodh Presidenti i ri i Republikës se, “i kemi dhënë Shqipërisë një President normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit”.
“Besoj se kemi arritur qartësisht objektivin që kemi pasur që në krye të herës dhe të gjitha reagimet flasin për këtë. Natyrisht përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike, flas përtej saj. Që do të thotë që i kemi dhënë Shqipërisë një President normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit, të humanizmit dhe patjetër edhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit”, tha Rama në një prononcim për mediet.
I pyetur për numrin e votave të marra, Rama tha se, “nuk ka asnjë rëndësi se cili ka qenë përfundimi aritmetik i këtij procesi. Rëndësi ka që ky proces është kurorëzuar me një provë të prekshme për të gjithë që PS është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten. Është këtu për të bërë më të mirën që zgjedhjet, vendimet, aktiviteti ynë si shumicë qeverisëse të shkojnë në interes të vendit dhe të të gjithë shqiptarëve, jo thjesht të njërës palë”.
Pyetjes së gazetarëve nëse është i lumtur për këtë zgjedhje të PS-së, Rama tha se, “lumturia është një fjalë shumë e madhe, por ajo që mund të them me plot gojën është që më vjen shumë mirë që në një proces aspak të lehtë, me një sallatë palësh në anën tjetër të gjysmë sferës së parlamentit ne kemi arritur t’i japim jetë një procesi, i cili ka qenë një proces ku të gjithë kanë pasur mundësinë të kontribuojnë, pa përjashtim dhe prej ku ka dalë një figurë që është qartësisht e pa identifikueshme thjesht me ne që e kemi propozuar, por e identifikueshme me qytetarin shqiptar dinjitoz dhe të respektueshëm. Me njeriun besnik ndaj vendit dhe detyrës, me shembullin e një burri të qetë, të arsyeshëm, normal”.
Lidhur me dekretimin e firmosur sot nga Meta, Rama u shpreh se “ajo që ka rëndësi për të sotmen dhe të nesërmen është që Shqipëria pas një periudhe dramatike në zyrën e Kreut të Shtetit, do të ketë një President normal, për një vend normal dhe për funksionimin normal të institucionit”.
Për padinë në SPAK ndaj Bajram Begajt, Rama tha se, “këto janë muhabete pa lidhje fare sepse padira në këtë vend ka shumë dhe padirat në këtë vend janë një nga sportet kombëtare që janë zhvilluar shumë me proceset demokratike sepse më parë zhvillohej në formën e letrave anonime. Kështu që nuk më bën asnjë përshtypje ky fakt. Mua ajo që më vjen mirë dhe për të cilën jam këtu përsëri përpara jush për të folur për herë të fundit për këtë temë që sot u mbyll me sukses të plotë, është që kemi mundur t’i japim shqiptarëve një shembull kuptimplotë të faktit se ne nuk jemi këtu për vete, por jemi këtu me ta dhe për ta. Kjo është gjëja më e rëndësishme, të tjerat do i tregojë koha. Çdokush vlerësohet në veprim çdo ditë në punë, çdo ditë me rezultat që arrin çdo ditë. Ajo që sot është përmbyllur është puna e një periudhe jo të shkurtër për hir të së vërtetës dhe aspak të lehtë, për të thënë të drejtën e gjithë lidershipit të PS-së, grupit parlamentar, Kryesia, për të arritur në këtë rezultat”.
Ndërsa pyetjes se nëse i vjen keq që nuk u zgjodh një figurë që të merrte dhe votat e opozitës, Rama u shpreh se, “se kemi kërkuar kurrë dhe as e kemi pritur asesi që të kemi konsensus me të vdekurit. Ne kemi qenë këtu për të pasur konsensus me të gjallët dhe besoj që konsensusi me të gjallët, dhe me të gjallë këtu kuptoj njerëzit që besojnë tek ky vend, njerëzit që punojnë në këtë vend, njerëzit që duan të rrisin fëmijët në këtë vend, njerëzit që e duan këtë vend më të mirë, e kemi arritur plotësisht me këtë figurë”.
Për mospjesëmarrjen e Lulzim Bashës në këtë seancë, Rama iu përgjigj gazetarëve: “lëreni të flejë”.























