Ballina Flash

Kopshti “Zarife Hasanaj” në Kamzë, kushte më të mira për 250 fëmijë

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Rreth 250 fëmijë të kopshtit nr. 14 “Zarife Hasanaj” në Paskuqan, Kamzë, kanë tashmë ambiente më të mira falë rikonstruksionit të tij në kuadër të Programit “EU4Schools”.

Në përurimin e kopshtit ishin të pranishëm i Ngarkuari me Punë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Alexis Hupin, Përfaqësuesja e Përhershme të UNDP-së, Monica Merino, ambasadorja e Francës Elisabeth Barsacq, ambasadori i Holandës Reinout Vos, ambasadorja e Polonisë Monika Zuchniak-Pazdan, zëvëndësministri i Arsimit dhe Sportit Endrit Hoxha, kryetari i bashkisë Kamëz Rakip Suli, fëmijë, stafi mësimor e përfaqësues të komunitetit.

Të pranishmit, pasi ndoqën një orë mësimore edukative të organizuar nga fëmijët mbi sigurinë rrugore, vizituan mjediset e brendshme të kopshtit, ndërvepruan me fëmijët dhe panë nga afër standardet e larta dhe bashkëkohore që ky kopsht tashmë ofron.

Me shkallë emergjence, rampa e tualete për fëmijët me aftësi të kufizuara; sistem ngrohjeje qendrore me energji elektrike; fasada me sistem kapote e me hidroizolim nga e para të tarracës; ndriçim LED e ndriçim të jashtëm; me sistem kamera, sistem kundër zjarrit e sistem kundër vjedhjes etj., kopshti “Zarife Hasanaj” është pjesë e programit “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes një buxheti prej 75 milionë eurosh dhe i zbatuar nga UNDP Albania.

Përfitues të drejtpërdrejtë të këtij investimi madhor janë 250 fëmijë, 10 edukatore dhe rreth 19,000 banorë të komunitetit.

Deri tani në kuadër të këtij programi, janë rindërtuar ose riparuar 23 objekte arsimore që prej nisjes së programit në prill të vitit 2020, të cilat u shërbejnë drejtpërdrejtë 7325 fëmijëve/nxënësve dhe 445 mësuesve.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbi 28 mijë aplikime në maj për shërbimet e sigurimeve shoqërore
Artikulli tjetërShqipëria vlerësohet nga WIPO për mbështetjen e startup-eve