Ballina Flash

Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Ekipi i Vllaznisë fitoi sot për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë duke mundur me rezultatin 2-1 ekipin e Laçit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Dy skuadrat dhuruan një lojë fantastike, në praninë e tifozerive përkatëse, të cilat kishin mbushur stadiumin “Air Albania” në përkrahje të ekipeve të tyre të zemrës. Triumfi i Vllaznisë erdhi pikërisht nga një gjuajtje me kokë e Hoxhajt në minutën e 18-të dhe goli i Adilit në minutën e 95-të.

Janë kurbinasit ata të cilët kalojnë të parët në avantazh që në minutën e katërt me Guindo, pas një topi të dhënë saktë nga Velija. Festë në kampin e kurbinasve dhe nga tifozeria e ekipit në “Air Albania”.

Pas golit të skuadrës së drejtuar nga Duro, Vllaznia kërkon me ngulm golin e barazimit, duke tentuar disa herë dhe duke kontrolluar topin mjaft mirë. Goli erdhi në minutën e 18-të, pas një aksioni nga e majta e Liridon Latifit, i cili pasi shmang dy lojtarë të Laçit, kroson brenda zonës ku gjendet Hoxhaj, i cili gjuan bukur me kokë topin duke e dërguar në rrjetë dhe duke barazuar shifrat.

Shkodranët nuk ndalen te goli i barazimit, por tentojnë të gjejnë sërish rrjetën e kurbinasve, duke bërë që pjesa e parë të flasë totalisht për ta. Pavarësisht rasteve të krijuara, 45 minutat e para mbyllen me barazimin 1-1.

Me nisjen e fraksionit të dytë, Laçi bëhet më kërkues për golin e epërsisë, duke iu afruar disa herë zonës shkodrane dhe duke tentuar me Akiniemin, Velijan dhe Guindon, por pa rezultat. Edhe kjo pjesë e lojës mbyllet me shifrat 1-1, teksa skuadrat i drejtohen minutave shtesë, ku shkodranët gjejnë golin e epërsisë pas një predhe të Adilit, që nuk pritet nga portieri i kurbinasve. 2-1 për Vllazninë!  Edhe në pjesën e dytë të kohës shtesë, skuadrat dhurojnë mjaft lojë të bukur, por rezultati mbetet i pandryshuar.

Në fund të ndeshjes, u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së medaljeve dhe Kupës së Shqipërisë, që iu dorëzuan shkodranëve nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Dy skuadrat dhuruan një lojë fantastike, në praninë e tifozerive përkatëse, të cilat kishin mbushur stadiumin “Air Albania” në përkrahje të ekipeve të tyre të zemrës. Triumfi i Vllaznisë erdhi pikërisht nga një gjuajtje me kokë e Hoxhajt në minutën e 18-të dhe goli i Adilit në minutën e 95-të.

Me fitoren e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia siguron pjesëmarrjen në turin e parë të UEFA Conference League.

Presidenti Ilir Meta uroi ekipin e Vllaznisë për fitoren e Kupës së Shqipërisë.

“Urime KF Vllaznia! Urime Shkodra! Urime tifozëve kuqeblu! Fitorja e Kupës së Shqipërisë, një trofe i rëndësishëm për historinë e lavdishme të klubit legjendar! Suksese të reja dhe përfaqësim dinjitoz në sfidat ndërkombëtare”, shkruan Meta në një urim në rrjetet sociale.

/k.s/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKushi me maturantët e Durrësit: Vlerësoni nevojat e tregut për të bërë zgjedhjen e duhur në universitet
Artikulli tjetërMagji në mesnatë, ndizen Luminariet e Puljes në qendër të Tiranës