Ballina Flash

Karçanaj: 20 milionë dokumente me vulë digjitale të gjeneruara, po i japim fund korrupsionit dhe radhëve në sportele

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Nga data 30 prill do të ndryshojë mënyra se si administrata do t’u shërbejë qytetarëve dhe bizneseve.

Sipas drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj kjo për dy arsye: e para, sepse shërbimet dhe përgjigjet për shërbimet do të monitorohen në kohë reale dhe shërbimet që nuk kanë nevojë për prezencë do të merren vetëm përmes “e-Albania”-s.

Sipas saj, ambicia është që në dy vitet e ardhshme të ketë një sistem të qendërzuar për të gjithë punën e administratës publike, duke e kaluar atë në funksionimin pa letër.

Karçanaj deklaroi se falë teknologjisë po i japet fund korrupsionit, bakshisheve dhe po shmangen radhët e gjata në sportelet fizike.

Karçanaj renditi disa nga vlerësimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare, duke nisur nga DASH, BERZH, OKB, BE, apo OECD.

“Raporti i BERZH-it dokumenton punën e madhe që është bërë nga qeveria shqiptare për shërbimet online. Shqipëria renditet e para në rajon për shërbimet digjitale. Jemi të 17-ët në botë, duke lënë pas jo vetëm rajonin, por edhe vende që prej kohësh janë anëtarësuar në BE, si Italia apo Greqia. Raporti vjetor i OECD/Sigma e vendosi Shqipërinë në vendin e parë për qeverisjen digjitale”, tha Karçanaj.

Ajo vuri në dukje se në raport thuhet se 56 % e shqiptarëve, më shumë se në çdo vend të rajonit, e përdorin rregullisht platformën “e-Albania”.

Në raport, sipas saj, vlerësohen edhe investimet e qeverisë në infrastrukturat digjitale të ndërveprimit që kanë bërë të mundur që 55 regjistra “të flasin” me njëri-tjetrin dhe të parambushen 66 % e formave, duke lehtësuar procedurat e kursyer kohën qytetarëve.

“Janë 17 milionë transaksione që kryhen në platformën qeveritare të ndërveprimit çdo ditë. Këto janë dokumente të kursyera që nuk ju kërkohen më qytetarëve dhe bizneseve. E kemi nisur me 14 shërbime dhe sot janë 1225 shërbime. E kemi nisur me 50 mijë, sot janë 2.5 milionë qytetarë dhe biznese që përdorin platformën ‘e-Albania’. Kemi 2 mijë qytetarë për 50 mijë shërbime në ditë“, theksoi ajo.

Po ashtu, ajo vuri në dukje se janë 20 milionë dokumente me vulë digjitale të gjeneruara deri tani, që përkthehen në 20 milionë ecejake që u janë kursyer qytetarëve.

“Janë 110 milionë dokumente shtet me shtet që nuk u janë kërkuar qytetarëve dhe biznesit, por janë gjeneruar nga punonjësit e administratës”, informoi ajo.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJava Botërore e Imunizimit, Manastirliu: Vaksina HPV falas për të gjitha vajzat në moshën paraadoleshente
Artikulli tjetërNumri i pasagjerëve që udhëtuan me linjë ajrore rritje me 3.2 herë