Ballina Aktualitet

Çuçi mbledh drejtuesit e policisë në 4 qarqet e jugut: T’i pritet rruga çdo tentative të kultivimit të kanabisit

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi vijoi takimet me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet e jugut, në kuadër të shtimit të kontrolleve dhe masave për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

“Rikonfirmova vendosmërinë tonë për të rritur cilësisht punën parandaluese dhe forcën goditëse kundër kultivimit të kanabisit. Keni detyrimin ligjor dhe të gjithë mbështetjen time dhe të qeverisë për t’i prerë rrugën çdo tentative të kultivimit apo trafikimit të kanabisit”, tha Çuçi.

Sa i përket iniciativës së qeverisë për t’i hapur rrugë legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, ministri i Brendshëm kërkoi nga drejtuesit e Policisë së Shtetit në Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër që kjo të mos keqkuptohet në terren.

“Iniciativa për legalizim për qëllime mjekësore dhe industriale që do të kontrollohet rreptësisht me ligj të posaçëm, s’ka të bëjë fare me kultivimin për trafikim që doemos do të vijojë të jetë një veprimtari e paligjshme”, theksoi Çuçi.

Më herët gjatë paradites ministri i Brendshëm mblodhi në takim drejtuesit e Policisë së Shtetit në qarqet Tiranë, Durrës, Dibër, Elbasan dhe Korçë. Dy ditë më parë një takim i ngjashëm u zhvillua në Lezhë me drejtuesit e qarqeve të veriut.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMoti i keq, vonohet trageti “AF Marina” i linjës Ankona-Durrës
Artikulli tjetërMinistria e Shëndetësisë: 52 të infektuar dhe asnjë humbje jete nga COVID-19