TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kuvendi pas rreth 12 orësh punime miratoi 4 Akte Normative si dhe 2 projektligje që lidheshinn me situatën në vend pas krizës së çmimeve të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në vend dhe zhvillimin e SME-ve.
Diskutimet nisën me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për programin “UKT Shpërndarja e Ujit””. Kontrata financiare parashikon që Banka Evropiane e Investimeve të akordojë për projektin “UKT Shpërndarja e Ujit” një hua në shumën e 80 milionë eurove. Deputetët e shumicës parlamentare gjatë diskutimeve vlerësuan se huaja do të shërbejë për zgjerimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të furnizimit me ujë të qytetit të Tiranës, në përputhje me standardet e përcaktuara në Direktivën e Ujit të Pijshëm. Nga Programi parashikohet të përfitojnë rreth 800 mijë banorë të kryeqytetit, si dhe parashikohet zhvillimi i një burimi të ri natyror, Guri i Bardhë, që ndodhet 25 km në verilindje të Tiranës. Gjatë diskutimet u theksua se projekti synon reduktimin e konsumit të energjisë dhe se pavarësisht përmirësimeve të deritanishme, huaja do të ndikojë direkt në shtimin e orarit të furnizimit me ujë të pijshëm. Deputetët e opozitës shprehën mosdakortësinë e tyre për marrjen e kësaj huaje, ndërkohë që Dhurata Çupi si deputete e Qarkut Dibër, kundërshtoi projektin pasi sipas saj do të krijojë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm të disa fshatrave të Bashkisë Klos. Deputeti i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Dashamir Shehi në fjalën e tij u shpreh se sektori vijon të ketë probleme dhe se ka nevojë të ndërmerren investime serioze.
Ky projektligj u miratua me 75 vota pro, 35 kundër dhe 2 abstenim.
Seanca vijoi diskutimet me shqyrtimin e Aktit normativ nr. 5, datë 12.3.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre””, të ndryshuar” dhe Aktit normativ nr. 8, datë 25.3.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, të ndërmarra në kuadër të Paketës së Rezistencës Sociale.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se dy aktet normative u ndërmorën si një reagim i menjëhershëm pas rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, por dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Balluku theksoi se përballë kësaj situate, qeveria shqiptare vendosi të marrë masa për të monitoruar dhe mbajtur nën kontroll çmimet e naftës dhe nënprodukteve të saj, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj krize, nëpërmjet krijimit të Bordit të transparencës, që përbëhet nga anëtarë të institucioneve të linjës, përfaqësues të biznesit, etj., i cili mblidhet çdo herë që ka luhatje në bursë dhe cakton çmimin tavan për gazoilin, naftën dhe benzinën, mbi bazën e një metodologjie të mirë përcaktuar nga caktohet ky çmim. Gjatë diskutimeve deputetët e opozitës i konsideruan masat e ndërmarra nga qeveria si të pamjaftueshme dhe se cënojnë parimin e ekonomisë së tregut, ndërsa rritjen e çmimeve të karburantit keqmenaxhimit dhe politikës fiskale të ndjekur nga qeveria.
Pas diskutimeve Akti normativ nr. 5, datë 12.3.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre””, të ndryshuar” u miratua me 73 vota pro, 39 kundër dhe 1 abstenim; ndërsa Akti normativ nr. 8, datë 25.3.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, u miratua me 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenim.
Seanca e sotme plenare shqyrtoi Aktin normativ nr. 6, datë 18.3.2022 “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara (amendimi i tretë) në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar”, i cili synon rishikimin e termave të marrëveshjes ekzistuese, të cilat do të mundësojnë blerjen e dozave të vaksinave anti-COVID “Pfizer” për vitin 2022. Ky Akt normativ u miratua me 100 vota pro, 11 kundër dhe 3 abstenim.
Diskutimet vijuan me shqyrtimin e Aktit normativ nr. 7, datë 18.3.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”. Deputetët e mazhorancës gjatë diskutimeve theksuan se ndryshimet e parashikuara në Aktin normativ u bënë të nevojshme pas situatës së krijuar nga rritja e menjëhershme e çmimeve të disa produkteve ushqimore bazë në tregun e brendshëm, të ndikuar nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, për të garantuar transparencën dhe mbrojtur qytetarët nga abuzimi i çmimeve. Deputetët e opozitës në diskutimet e tyre u shprehën kundër caktimit të çmimeve nga Borde të përkohshme, por me rregullat e konkurrencës së lirë, sepse po krijohen kompani monopol që po përfitojnë nga kriza. Ky akt Normativ u miratua me 74 vota pro, 36 kundër dhe 3 abstenim.
Në rendin e diskutimeve të ditës ishte edhe shqyrtimi i Projektligjit “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”. Gjatë diskutimeve u vlerësua se nisma e ndërmarrë do të rrisë mbështetjen ndaj ndërmarrjeve të vogla e të mesme, duke rritur aksesin në investime dhe grante, me qëllim rritjen e vlerës dhe forcimin e konkurrueshmërisë së tyre. Mbështetja financiare do të shoqërohet edhe me masat mbështetëse shtetërore ndaj NMVM-ve, si këshillimet, trajnimet, rritja e aksesit në informacion etj. Këto masa pritet të sjellin rritje të formalizimit, si dhe forcim të rregullave të brendshme dhe të të bërit biznes. Mbështetja financiare dhe ajo përmes këshillimeve do të realizohen nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, (AIDA), roli i së cilës do të fuqizohet më tej. Mbështetja e biznesit, përmes këtij projektligji, bëhet në vijim të politikave mbështetëse të mëparshme, siç janë ndihmat dhe garancitë sovrane, të cilat jepen për të gjithë biznesin dhe jo vetëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ky projektligj u miratua me 76 vota pro, 32 kundër dhe 3 abstenim.






















