Ballina Flash

Manastirliu: Vaksinimi, arma mbrojtjes edhe për lehtësimin e sezonit turistik

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një intervistë televizive është shprehur se faza akute e pandemisë COVID-19 do të përfundojë kur të jetë vaksinuar 70 % e popullatës.

Manastirliu theksoi se vaksinimi duhet të vijojë, si e vetmja armë në mbrojtje të shëndetit, edhe për lehtësimin e sezonit turistik.

“Ashtu si dhe OBSH është shprehur, ende nuk ka përfunduar faza akute e pandemisë. Kjo fazë do të përfundojë kur të jenë vaksinuar 70 % e popullatës. Shohim në botë në disa vende edhe në Evropë që ka sërish rritje të infektimeve, ndërsa në Shqipëri kemi një tendencë në ulje të qëndrueshme, por ende jo drejt zeros. Në spitale nuk kemi rritje të pacientëve të shtruar. Vaksinat na kanë mbrojtur dhe vijojnë nga format e rënda të sëmundjes dhe fataliteteve. 60 % është shifra e vaksinimit në popullatën target. Qeveria është në këmbë për të ofruar mbrojtjen e jetës, detyra jonë të garantojmë vaksinat, të mbrohemi nga variantet e të kthehemi në normalitet”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu nënvizoi se aktualisht në vend kemi një situatë të kontrolluar, por apeloi për vigjilencë.

“Kemi një situatë të kontrolluar, po kjo s’do të thotë që të humbim vigjilencën, edhe këto javë para sezonit turistik, po mundohemi të bëjmë maksimumin me mbulesën vaksinale. Është e parakohshme të themi sot se cili do të jetë vendimi i nesërm. Do të tregohemi gjithmonë të vëmendshëm me vendimet që do marrim. Së pari, do mundohem për shëndetin e popullatës dhe prandaj po bëjmë edhe fushatën derë më derë dhe masat do jenë më të lehta për t’u hequr. Përderisa kemi akoma një qasje pandemike Komitetin do e kemi në krye dhe jemi duke u konsultuar pasi kanë fituar një eksperiencë dhe kanë të gjithë informacionin e duhur. Komiteti do e ndjekë këtë pandemi derisa kjo të bëhet një sëmundje endemike”, tha Manastirliu.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjedhjet në PS, Gjiknuri mbledh grupin e punës: Ristrukturimi do t’i paraprijë suksesit elektoral të PS
Artikulli tjetërFOKUS – Escobar: PD të refuzojë të kaluarën, të mos rikthehen ditët kur Shqipëria shihej si më e korruptuara