TIRANË, 30 mars/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se po hartohet një instrument garancie sovrane, i cili do të mund të përdoret nga importuesit dhe përpunuesit e produkteve bazë, me qëllim sigurimin e kredive për kapital qarkullues.
Gjatë një takimi në doganën e Tiranës, me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Rama, ministrja Ibrahimaj tha se rritja e çmimeve e afekton biznesin dhe krijon vështirësi në disponueshmërinë e parave për të garantuar rezerva të produkteve për popullatën.
“Me fillimin e krizës që u shfaq me rritjen e çmimeve që në fillim të vitit, ne kemi marrë masa me qëllim që të krijohet transparencë, se pse këto çmime po rriten dhe kush janë efekte e luftës në Ukrainë, dhe kemi vendosur bashkërisht një formulë për të përcaktuar marzhet e fitimit. Është një moment i vështirë jo vetëm për ne, por dhe për të gjithë ekonomitë e botës. Kemi biseduar gjerësisht për mundësinë e disponueshmërisë së produkteve. Ministria e Financave është duke përpunuar një instrument garancie sovrane, i cili do të mund të përdoret nga importuesit dhe përpunuesit e produkteve bazë, me qëllim sigurimin e kredive për kapital qarkullues. Kjo, pasi rritja e çmimeve e afekton biznesin dhe krijohet vështirësi në disponueshmërinë e parave për të garantuar rezerva të produkteve për popullatën”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi po ashtu në fjalën e saj, se Bordi i Transparencës për çmimet e produkteve bazë, i ngritur nga qeveria, po funksionon dhe ka dhënë efekte në reduktimin e çmimeve për disa produkte bazë.
Ministrja siguroi se nëpërmjet bashkëpunimit me tregtarët e shumicës dhe pakicës do t’u ofrohen të gjithë konsumatorëve ato produkte që kanë nevojë dhe nuk do të lejohet të ketë spekulime mbi çmimet.
“Çmimi duhet të reflektojë atë çmim që faturohet dhe jo pritshmëritë në të ardhmen. Në një situatë normale, do të ishte normale reflektimi i pritshmërive, por sot nuk është momenti për të bërë këtë”, deklaroi Ibrahimaj.
/a.a/r.e/


















