Ballina Flash

​Osmani: Katari, rol të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës

PRISHTINË, 26 mars/ATSH/- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me kryeministrin e shtetit të Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dohas.

Presidentja ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve tona. Në kontekstin e Forumit të Dohas, Osmani ritheksoi përpjekjet e përbashkëta të Kosovës dhe Katarit si dy vende paqedashëse, gatishmërinë për t’i adresuar sfidat bashkëkohore.

“Presidentja falënderoi kryeministrin për mbështetjen ndaj Kosovës që nga paslufta, duke përfshirë realizimin e projekteve të ndryshme të financuara nga populli dhe shteti i Katarit. Po ashtu, presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e institucioneve tona të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me shtetin e Katarit”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidentja -vijon komunikata- vlerësoi rolin e rëndësishëm të Katarit në mbështetjen e Kosovës në iniciativa të ndryshme ndërkombëtare. Ajo potencoi nevojën për të avancuar bashkëpunimin diplomatik duke u anëtarësuar edhe në organizata ndërkombëtare në të cilat akoma nuk jemi të përfaqësuar si dhe duke e rritur numrin e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Osmani Sadriu ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit krahas liderëve të ndryshëm botëror, ku po diskutohet trajtimi i sfidave bashkëkohore duke kërkuar zgjidhje inovative.

Në fillim të ceremonisë, Osmani u prit nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani dhe nga kryeministri i Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani.

Forumi është hapur nga Emiri i Katarit, si dhe ka vazhduar me adresimin virtual nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Forumi i Dohas 2022 po mbahet nën sloganin “Transformimi për një epokë të re” dhe ka mbledhur liderë botëror, politikëbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë.

Krahas aktiviteteve në Forumin e Dohas, presidentja Osmani ka takuar bashkatdhetarët tanë që punojnë dhe veprojnë në Katar.

Po ashtu, presidentja ka takuar ambasadorë të shteteve mike të akredituar në Doha, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Evropë.

Presidentja ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për të harmonizuar plotësisht përpjekjet tona me aleatët tanë. Në vijim, presidentja Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të shteteve të tjera dhe do të ketë takime bilaterale me udhëheqësit e shtetit të Katarit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUKRAINË – Zelensky: Rusia harxhon miliarda për propagandë
Artikulli tjetërFituan Kupën e Shqipërisë, Veliaj pret ekipin e volejbollit për meshkuj të SK Tiranës