TIRANË, 24 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot në Kuvend, se arrestimet e kryera nga Policia e Shtetit gjatë protestave të organizuara nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimeve, kanë qenë tërësisht të ligjshme, ndërkohë që nuk është ushtruar dhunë.
Në përgjigje të interpelancës së kërkuar nga nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili mbi dhunën e policisë në protesta, Çuçi tha se “arrestime ka pasur, por dhunë nuk ka pasur”.
“Arrestimet janë bërë konform ligjit dhe procedurave që ka Policia e Shtetit, të përcaktuara në të gjithë kornizën ligjore, ligjin e Policisë, ligjin ‘Për tubimet’ etj. Arrestimet janë vlerësuar të gjitha si të ligjshme nga gjykatat”, tha Çuçi.
Sipas tij, “ky është një argument kokëfortë se këto arrestime nuk janë bërë në kundërshtim me ligjin”.
“Jo vetëm kaq, Agjencia për Mbikëqyrjen Policore, që ka filluar funksionimin në bazë të ligjit të ri dhe është shumë më tepër e pavarur nga struktura e policisë se më parë, nuk ka gjetur asnjë shkelje të procedurës nga punonjës të Policisë. Ata që keni parë civilë janë punonjës policie që në çdo arrestim kanë qenë të shoqëruar me policë me uniformë dhe me mjet identifikimi dhe janë verifikuar një për një”, shtoi ai.
Duke garantuar se hetimi ka qenë i plotë, Çuçi theksoi se “vetëm vitin e kaluar janë ndëshkuar me masa disiplinore nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore 49 punonjës së policisë së të gjitha niveleve”.
Ndërkohë, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në interpelancën me Ministrin e Brendshëm për dhunën e policisë në protesta, i konsideroi ilegale veprimet e Policisë.
“Është bërë normë dhe mënyrë të vepruari dhe ndërhyrja e dhunshme e personave me kapuç të zi pa asnjë mjet identifikimi që dhunojnë dhe marrin zvarrë protestuesit dhe aq më keq në rastin e fundit kur protestat ishin tërësisht paqësore”, tha ai.
/a.a/r.e/























