TIRANË, 17 mars/ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku deklaroi se opozita është në krah të integrimit të Shqipërisë në BE.
Duke folur në lidhje me raportin vjetor të Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Tabaku tha se “pavarësisht vullnetit të qeverisë, dhe e them me plot gojën, dështim të ngritjes së strukturave funksionale të procesit të integrimit, Këshilli Kombëtar i Integrimit është përpjekur të marrë një rol që në fakt i takon ligjvënësit dhe i takon që ta ushtrojë më shumë Këshilli Kombëtar i Integrimit”.
Tabaku shtoi se “ne kemi që në tetor të vitit të kaluar, kur u prezantua raporti i progresit, që duam që të marrim të gjitha institucionet shqiptare në dëgjesa, për të filluar punën për secilin nga prioritetet, për 6 parakushtet përpara konferencës ndërqeveritare dhe për 9 kushtet”.
Sipas saj, ky është një proces, që kërkon një vullnet politik, që deri sot qartazi ka munguar, si dhe një proces teknik ku e gjithë administrata publike duhet të ngrihet në këmbë për të marrë pronësinë dhe drejtimin e këtij procesi.
Tabaku nënvizoi se “që nga tetori kur u prezantua raporti i progresit nuk ka absolutisht asnjë përparim në secilin prej kritereve të cilat janë vendosur së pari dhe minimumin ligjor si raportim nga ana e qeverisë”.
Gjithashtu, sipas saj, ka mungesë angazhimi total të shoqërisë civile pasi ky është një proces i cili duhet patjetër që të ketë angazhimin e të gjitha palëve.
Tabaku tha se qeveria shqiptare ka dështuar sesi ka funksionuar metodologjia e re e cila do të vlerësojë arritjet e secilit prej kritereve nga njëra anë dhe nga ana tjetër e atyre që quhen grupe.
“Sot qeveria shqiptarë vijon dhe raporton akoma me kapituj. Kur nuk e ka kuptuar qeveria shqiptare se ka ndryshuar metodologjia, ne nuk presim fare që këtë ta bëjë administrata publike, për një shembull të thjeshtë. Në grupin e parë të çështjeve që janë të rëndësishme për të avancuar janë çështje të krimit të organizuar, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, administrata publike, prokurimet publike; pra, një grup kapitujsh. Qeveria shqiptare mjaftohet me raportimin që “kemi miratuar shtyrjen e afatit të Vetingut”. Shtyrja e afatit të Vetingut nuk ka ndodhur si rezultat i arritjeve të qeverisë shqiptare”, tha ajo.
/r.e/























