TIRANË, 15 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka tatimet më të ulëta mbi pagat në rajon.
Në një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, Rama tha se “kontributet për sigurimet shëndetësore e shoqërore janë po ashtu më të ulëtat në rajon”.
Duke folur për biznesin, Kryeministri kujtoi se “në vendet e tjera nuk ka askund biznes të vogël me taksë zero”.
“Ndërkohë që më parë bizneset e vogla paguanin 10 % taksë tatim fitimi dhe 20 % TVSH, në 2014 ne përgjysmuam tatimin e fitimit, por jo TVSH. Bindja jonë është që biznesi i vogël është aleati më i madh i shoqërisë shqiptare në këtë fazë”, tha Rama.
Ai theksoi se “për 95 mijë biznese të vogla ne kemi bërë atë që nuk e ka bërë askush as në rajon, as në Europë”.
“Po ashtu ne i mbulojmë biznesit të vogël faturën e energjisë”, tha Rama.
“Duke pasur këtë strukturë taksash, si mund të heqësh taksat e naftës që sjellin të ardhura të rëndësishme në buxhet? Përmes Paketës së Rezistencës Sociale ato i kthehen njerëzve dhe më shumë se aq. Ne nuk ia kthejmë atyre që kanë fuoristrada, por ia kthejmë njerëzve që janë më pak të mbrojtur sot”, tha Rama.
/r.e/






















