Ballina Flash

Tabaku: 60% e çmimit të naftës, taksa që shkojnë për oligarkët

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar sot në lidhje me rritjen e çmimit të karburanteve ku thekson se, 60% e çmimit të naftës janë taksa që shkojnë për oligarkët dhe jo për qytetarët.

Tabaku në reagimin e saj tha se, “Rama i hedh hi sy shqiptarëve. Qytetarët kanë ditë që janë ngritur në protestë për çmimet abuzive të naftës që kanë ndikuar në çmimet e tjera. Inflacioni po prek nivele të pamenduara. Pse është rritur çmimi naftës? Pasi 60% e çmimit të naftës janë taksa që shkojnë për oligarkët dhe jo qytetarët”.

Gjithashtu Tabaku e ka cilësuar Paketën e Rezistencës Sociale, qesharake si ajo e pandemisë.

“Në një muaj qeveria përfiton 20 mln euro nga taksa e karburantit që fare mirë mund ti shkonte shqiptarëve dhe xhepave të tyre. Por 20 mln qeveria i merr për t’ia dhënë inceneratorëve dhe PPP-ve të tjera”, theksoi Tabaku.

Tabaku tha se, “nuk zgjidhet kjo situatë duke imituar planifikimet 5 vjeçare të pleniumit por duke ndërhyrë në politikat e taksave. Më pak taksa, në qendër qytetari dhe kontroll ndaj oligarkëve dhe oligopolit të naftës e jo vetëm”.

“Shqiptarët janë sot në protestë sepse buxheti shtetit është trajtuar si plaçka e luftës së oligarkisë. Taksat e shqiptarëve po keqtrajtohen! Shqipëria po varfërohet!”, përfundoi ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Rusët përdorin municione me fosfor në Popasna
Artikulli tjetërPaketa e Rezistencës Sociale me shtatë pika