TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, mori pjesë sot në konferencën rajonale për parandalimin e kultivimit të kanabisit në Selenicë të Vlorës.
Nano u shpreh se, “takimi që po zhvillojmë është i një rëndësie të veçantë, pasi ka të bëjë me marrjen e masave, që bashkërisht të përmbushim një objektiv madhor për vendin, atë të zhdukjes së fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Një nga sfidat personale të miat, sapo mora detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, ishte pikërisht ky objektiv, ndaj sot jam këtu me ju për të diskutuar e për të gjetur rrugët dhe format e duhura që asnjë person i qarkut Vlorë dhe jo vetëm, por asnjë qytetar në të gjithë vendin, të mos ndërmarrë iniciativa të tilla për të kultivuar kanabis, pasi Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të parandaluar, evidentuar dhe goditur me ashpërsinë e ligjit çdo rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie kriminale”.
“Në çdo qark të vendit, në çdo dalje televizive, në çdo takim që kam zhvilluar, kam përcjellë këtë mesazh “zero kultivim për këtë vit” dhe se kam thënë as për të fituar kredo për vete dhe as për show televiziv, por për të ndërgjegjësuar qytetarët, aktorët dhe faktorët, që secili të marrë përgjegjësitë e veta, përpara se të përballet me forcën e ligjit”, theksoi ai.
Nano u shpreh se, “Policia e Shtetit ka nisur punën më herët, duke hartuar Planin e Veprimit, duke u fokusuar në këto drejtime kryesore: sensibilizimin e komuniteteve të përfshira, duke bashkëpunuar kryesisht me shkollat, medien dhe komunitetet rajonale; kontrollin e pandërprerë të territorit, duke synuar parandalimin dhe goditjen që në fazën e parë të kultivimit; intensifikimin e veprimtarisë policore dhe asaj hetimore për zbulimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të tregtimit të farave të bimëve narkotike dhe ndëshkimin e organizatorëve të kultivimit e trafikimit të lëndës narkotike kanabis sativa; rritjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në Planin e Veprimit, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, kryesisht me partnerët italianë; identifikimin dhe ndëshkimin e punonjësve të administratës dhe atyre në radhët e Policisë, të cilët neglizhojnë ose bashkëpunojnë në forma të ndryshme në kultivimin e bimëve narkotike”.
“Për të jetëzuar këtë plan veprimi e shikoj të domosdoshme bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, si dhe përfshirjen e gjerë të publikut në procesin e informimit, por dhe të denoncimit nga ana e tyre të çdo tentative apo rasti në zonat ku ata banojë. Në shumicën e qarqeve janë organizuar takime sensibilizuese dhe konferenca rajonale, me pjesëmarrje të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, me qëllim marrjen e përgjegjësive nga të gjithë aktorët që i ngarkon ligji me përgjegjësi. Jam shumë i bindur që në rast se secili prej nesh do bëjë detyrën dhe në rast se do të kemi komunitetin aleat në këtë luftë, sfidën e kemi të fituar”, tha Nano.
“Strukturat e Policisë kanë nisur prej javësh kontrollin masiv të territorit. Në këtë kontroll duhet të përfshihen kryepleqtë e fshatrave, përfaqësuesit e njësive administrative, Policia Bashkiake, inspektorët pyjorë dhe të mjedisit, ata të zonave të mbrojtura dhe OSHEE-ja. Unë dua të flas hapur e pa rezerva, sepse nuk kam frikë nga e vërteta, se e vërteta sado e hidhur të jetë, po e kurove shërohet. Siç jeni informuar ndërmjet medias nga njoftimet e Policisë, muajt e fundit Policia e Shtetit po ndeshet me laboratorë për kultivim të kanabisit me llamba dhe askush nuk po informon, askush nuk po i shikon, as OSHEE-ja nuk bën bilancin e harxhimit të energjisë në zonë”, theksoi Nano.
“Ligji na ngarkon të gjithëve njësoj me përgjegjësi dhe kur ligji zbatohet nga të gjithë ose kur të gjithë punojnë që ligji të triumfojë, krijohet një ambient i pasigurt për shkelësit e ligjit e trafikantët dhe një ambient i sigurt për shoqërinë. Ju siguroj se cilido që do konstatohet në shpërdorim detyre do përballet me ligjin, sikundër cilido nga punonjësit e Policisë që do të abuzojë apo më keq akoma do të bëhet palë me ta, do ketë penalitetet më të rënda që parashikon ligji në këto raste”, shtoi Nano.
Gjithashtu, nënvizoi Nano, “në funksion të parandalimit dhe trafikimit të kanabisit, po bashkëpunojmë fort me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Krahas monitorimit ajror nga GDF-ja, Policia e Shtetit do të vijojnë kontrollet periodike masive në të gjithë territorin, duke përdorur dronë e helikopterë, si dhe duke forcuar bashkëpunimin me banorët e zonave, për të marrë informacion në kohë për ata elemente që sipas informacioneve po përgatiten për të kultivuar kanabis. Gjatë këtyre dy muajve kemi goditur disa raste duke sekuestruar mijëra fara dhe bimë kanabis”.
“Janë krijuar dhe kanë filluar të funksionojnë periodikisht taskforcat qendrore dhe vendore. Të gjitha institucionet shtetërore, administratorët e njësive vendore, bizneset private, zjarrfikësit, Policia Bashkiake apo Shërbimi Privat i Sigurisë Fizike kanë marrë përgjegjësinë e tyre. Unë nuk jam këtu as për shantazh, as për të kërcënuar e presionuar askënd, jam këtu si njëri prej jush, me shqetësimin dhe përgjegjësinë e detyrës dhe të sfidës që kam marrë në emër të Policisë së Shtetit dhe në këtë kuadër kërkoj nga të gjithë ju angazhim e bashkëpunim që bashkërisht ta minimizojmë deri në zhdukje këtë fenomen, që sjell veç krim dhe asnjë të mirë për shoqërinë”, tha Nano.
“Vlora dhe disa qarqe të vendit janë zona me risk të lartë dhe të mesëm në drejtim të kultivimit të kanabisit dhe për këtë duhet me patjetër që secili prej nesh të bëjë sa më mirë detyrën. SPZ-të e zonave duhet të bashkëpunojnë me OSHEE-në, që të ushtrohet kontroll territori për vjedhjen e energjisë elektrike, me qëllim evidentimin e laboratorëve dhe ambienteve në të cilat tentohet të kultivohen bimë narkotike me llamba. Të forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë dhe pushtetit vendor dhe të zgjedhurve në fshatra, të përfshihen në këtë bashkëpunim banorët e nxënësit e shkollave, për të vijuar akoma sa jemi në kohë, fushatën sensibilizuese, me qëllim ndërgjegjësimin e banorëve, që të heqin përfundimisht dorë nga kjo tentativë kriminale dhe të merren me veprimtari të ndershme e ligjore dhe të denoncojnë rastet, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm”, u shhpreh Nano.
Nano theksoi se, “duke u nisur edhe nga rezultatet e kontrollit të territorit, forca goditëse e Policisë ndaj kësaj veprimtarie kriminale, nga bashkëpunimi gjithnjë e në rritje mes qytetarëve dhe Policisë, nga impenjimi dhe marrja e përgjegjësive nga secili faktor dhe aktor, si dhe nga vendosmëria e prefektit të Qarkut Vlorë, por edhe e homologëve të tij në të gjitha qarqet e vendit, unë besoj fort se këtë vit do kemi rezultate që të ndikojnë drejtpërdrejt qoftë në ulje të kriminalitetit, ashtu edhe në drejtim të ndryshimit të perceptimit që kanë partnerët tanë për këtë fenomen kriminal”.
/r.e/























