Ballina Ekonomi

Skema Kombëtare, 50% financim për digjitalizimin e proceseve në fermë

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Qeveria është e vendosur të mbështesë dhe nxisë inovacionin dhe digjitalizimin në bujqësi, për rritjen e konkurrueshmërisë dhe standardeve të prodhimit sipas BE-së.

Krahas mbështetjes së vazhdueshme për investime bashkëkohore në bujqësi dhe agropërpunim, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, në Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësisë 2022, akordon subvencione për automatizimin dhe digjitalizimin e proceseve të punës në fermë.

“Fermerët, agropërpunues dhe subjektet e linjës, përfitojnë 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, për investime në automatizimin dhe digjitalizimin e proceseve në fermë, që nuk e kalojnë shumën 1,000,000 lekë për subjekt”, thekson MBZHR.

Për një kohë të gjatë, bujqësia nuk ka qenë një biznes tërheqës për investitorët, për shkak të një cikli të gjatë prodhimi, subjekt i rreziqeve natyrore dhe humbjeve të mëdha nga pamundësia për t’u automatizuar. Por sot falë politikave mbështetëse, sipërmarrjet po shtojnë vëmendjen për t’u marrë me bujqësi, madje po synojnë investime sipas teknologjive më të përparuara që garantojnë cilësi dhe eksporte të sigurta në tregjet e huaja.

Ekspertët e bujqësisë shprehen se, automatizimi dhe digjitalizimi në bujqësi mbështet krijimin e një modeli që përcjell standarde në të gjithë ciklin e prodhimit dhe në të gjithë zinxhirin e vlerës.

Sipas tyre, mundësitë për modernizimin e bujqësisë janë të mëdha, aq më tepër, në kushtet kur sot bujqësia shqiptare po synon të shndërrohet nga fermë tradicionale në shoqëri bashkëpunimi të teknologjisë së lartë, si modeli më i mirë që krijon tregje të reja dhe më shumë të ardhura.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Johnson: Të bashkëjetojmë me virusin
Artikulli tjetërKomedia “Pak Pakt” premierë në 26 shkurt në Teatrin Eksperimental