TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ “Pak Pakt” titullohet komedia me autor dhe regjisor Ledian Gjeçi, e cila do të shfaqet premierë në 26 shkurt në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Kjo komedi trajton dramën e ikjes së rinisë, e braktisjes së vendit për një jetë më të mirë, e cila është një problematikë e thekshme e shoqërisë tonë.
Në komedi flitet për dy djem shqiptarë të shkolluar mirë, por thellësisht të varfër e të mbytur në borxhe, të cilët i kap policia në flagrancë duke tentuar të ikin jashtë shtetit në mënyrë ilegale. Shpresa e tyre e vetme për një jetë më të mirë shkatërrohet totalisht. Por, vjen dikush dhe iu ofron djemve një pakt me të cilin ata mund të dalin nga burgu dhe mund të përfitojnë dokumente në çdo shtet evropian, vetëm nëse deklarojnë publikisht sikur janë homoseksualë.
Me autor dhe regji të Ledian Gjeçi, kostumografi të Sofi Kara, skenografi të Beqo Nanaj dhe kompozitor Jetmir Mehmeti, në këtë komedi interpretojnë aktorët Ermir Hoxha, Xhuliano Brisku, Mehmet Xhelili, Ledjon Zoi, Gëzim Rudi, Alba Shtëmbari, Margent Caushi.
Kjo komedi është shpallur fituese e fondit të krijimtarisë për të rinj në zhanrin dramaturgji nga “Qendra Kombëtare e librit dhe leximit për vitin 2021″.
/k.s/a.a/r.e/























