Ballina Flash

BE-SHBA, thirrje deputetëve: Votoni zgjatjen e afateve të Vetingut, mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasada e SHBA-së në një deklaratë të përbashkët, publikuar sot, u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të miratojnë vendimin për zgjatjen e afateve të Vetingut.

Në deklaratë nënvizohet se Reforma në Drejtësi po jep rezultate.

“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi Reforma në Drejtësi po jep rezultate. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i Reformës në Drejtësi”, thuhet në deklaratë.

“Për t’u mundësuar institucioneve të Vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike. Zgjatja e propozuar e Vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, vijon deklarata.

“Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët – pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e Vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Votimi për zgjatjen e afateve të Vetingut është parashikuar të bëhet ditën e enjte në seancë plenare.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Papa Emeritus Benedikti XVI u kërkon falje viktimave të abuzimit pas hetimeve
Artikulli tjetërRama: Rijetësimi i monumenteve të kulturës në funksion të ekonomisë familjare e turizmit