Ballina Aktualitet

Kandidon për bashkinë e Shkodrës, Angoni jep dorëheqjen si prefekte

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni bëri të ditur sot se i ka paraqitur kryeministrit Edi Rama dorëheqjen nga posti i prefektes, pas zyrtarizimit të kandidaturës së saj për të garuar për bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e pjesshme  vendore të 6 marsit.

“Pas një periudhe intensive në drejtimin e prefekturës të qarkut Shkodër, i kam përcjellë sot kryeministrit Rama dorëheqjen time nga ky funksion publik për t’i hapur rrugë kandidaturës time për kryebashkiake të bashkisë Shkodër në zgjedhjet vendore të 6 Marsit. Mbajtja e detyrës së prefektit të qarkut të Shkodrës ka qenë për mua nder, privilegj dhe përgjegjësi. Jam ndjerë vërtet e nderuar të ushtroj këtë funksion publik në vendlindjen time, për t’i shërbyer e për t’iu përgjigjur nevojave të çdo qytetari i kudondodhur në gjithë territorin e qarkut”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga vetë Angoni.

Angoni theksoi se kishte përmbushur me sukses kompetencat e prefektes përgjatë periudhës.

“Menaxhimi i mirë i emergjencave stinore, krizës së përmbytjes dhe situatës së zjarreve që prekën territorin e qarkut, lobimi për hapjen e rrugës së Thethit, që pas 30 vitesh e bën këtë destinacion të aksesueshëm për turistët dimëror, si dhe sigurimi i asistencës teknike dhe mbështetjes financiare nga donatorë vendas e të huaj për të mbështetur logjistikën tonë të emergjencave civile, janë disa nga kompetencat e Prefektit që i kam përmbushur me sukses”, thekson ajo.

Ajo e sheh kandidimin në krye të bashkisë së Shkodrës si një sfidë për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj bashkie.

“Sot nis një kapitull të ri në jetën time profesionale dhe publike duke marrë një tjetër përgjegjësi të madhe siç është sfida, për kandidimin në bashkinë e Shkodrës për të përmbushur më shumë sfidat që kanë banorët e Bashkisë Shkodër”, u shpreh Angoni.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManja inspekton burgun e Fushë-Krujës: Do vlerësoj performancën e drejtuesve
Artikulli tjetërCOVID-19, MSH: 251 të infektuar dhe 7 humbje jete në 24 orët e fundit