Ballina Aktualitet

Raporti i Transparency International, reagojnë Meta dhe Basha

TIRANË, 25 janar /ATSH-I. Vata/ Organizata Transparency International publikoi të martën raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arrin në përfundimin se 86 % e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit.

Raporti që analizon zhvillimet e vitit të kaluar, e vë theksin tek lidhja mes korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nga vendet me më shumë korrupsion e deri tek ekonomitë e përparuara.

“Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Ndërsa Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tri pikë më lart sesa një vit më parë. Një përmirësim prej katër pikësh ka shënuar Maqedonia e Veriut, nga 35 në 39, ndërsa Mali i Zi është mes vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore me numrin më të lartë të pikëve, 46 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit”, raporton Zëri i Amerikës.

Në krye të listës, me nivelin më të ulët të korrupsionit këtë vit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut kanë gjendjen më të keqe.

Për herë të parë, raporti ofron edhe një analizë krahasuese për gjendjen e korrupsionit në dhjetë vitet e fundit. Evropa Lindore dhe Azia Qendrore është i dyti në botë për sa i përket korrupsionit të lartë.

Meta: Mjaft pandëshkueshmërisë

Presidenti Ilir Meta reagoi sot në lidhje me Raporti e Transparency International.

Meta shprehet se “ndërsa shtetet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë shënuar progres të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit, vendi ynë ka vazhduar përkeqësimin”.

“Në raportin e përvitshëm të Organizatës prestigjoze Transparency International, për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve, por edhe me paralajmërimet që kam bërë prej kohësh sa i përket nivelit të ulët të demokracisë në vend, mungesës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, shfrytëzimit të pandemisë për të forcuar autoritarizmin, mungesën e llogaridhënies në të gjitha nivelet, abuzimet me fondet publike nëpërmjet koncensioneve, PPP-ve dhe inceneratorëve, situatë e rëndë që vijon të vrasë shpresën dhe të detyrojë gjithmonë e më shumë shqiptarë të largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre”, thekson Meta.

Ai shton se “gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm”.

Basha: Lufta kundër korrupsionit është sot interesi ynë kombëtar

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me raportin e Transparency International që sipas tij “konfirmon se armiku i mirëqenies së shqiptarëve është korrupsioni”.

“Raporti i fundit i “Transparency International” konfirmon se armiku i mirëqenies së shqiptarëve është korrupsioni. Përhapja e tij në çdo nivel të qeverisë Rama po e mban Shqipërinë në vendnumëro”, shprehet Basha.

Kreu i PD-së thekson se “lufta kundër korrupsionit është sot interesi ynë kombëtar, për të çliruar vendin dhe institucionet e tij nga të korruptuarit. Ndonëse një grusht i vogël njerëzish po mundohen ta mbajnë peng të ardhmen, ajo tashmë u përket shqiptarëve”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARRSH: Në akset Qafë-Thore – Theth dhe Kukës – Shishtavec, qarkullimi me zinxhirë
Artikulli tjetërTURQI – Dëbora e dendur paralizon trafikun në Stamboll