LONDËR, 24 janar /ATSH-ANSA/- Kryeministri britanik Boris Johnson ka paralajmëruar sot Vladimir Putin se një pushtim hipotetik rus në Ukrainë do të ishte “një hap katastrofik” që do ta vendoste Moskën në pozitën e përballjes me “një Çeçeni tjetër”.
I pyetur nga gazetarët gjatë një vizite në spitalin “Milton Keynes”, kryeministri britanik e cilësoi situatën si të zymtë, ndërsa shtoi se nuk e konsideron një luftë të pashmangshme.
Kryeministri Johnson gjithashtu konfirmoi evakuimin e një pjese të personelit diplomatik të Britanisë së Madhe nga Kievi, si një akt maturie përballë informacioneve të shërbimeve sekrete për praninë e 60 njësive luftarake ruse në kufijtë e Ukrainës.
“Ne duhet ta bëjmë të qartë mesazhin tonë drejtuar Kremlinit për pasojat e çdo veprimi ushtarak”, insistoi kryeministri britanik.
“Pushtimi i Ukrainës do të ishte një çështje e dhimbshme, e dhunshme dhe e përgjakshme edhe për Rusinë”, tha Johnson duke përsëritur vendosjen e sanksioneve ekonomike në rast se Moska shkon drejt një pushtimi.
“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që populli rus të kuptojë se një pushtim i mundshëm do të ishte një Çeçeni e re,” tha ai.
“Unë nuk mendoj se është e pashmangshme një konflikt i mundshëm dhe mendoj se mund të mbizotërojë ende një arsye e shëndoshë”, shtoi Johnson.//a.i/














