TIRANË, 6 janar/ATSH/ Sigurimet vullnetare këtë vit mbajnë një peshë më të lartë në tregun e sigurimeve.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 11-mujorin 2021 sigurimet vullnetare sollën 33 % të primeve të shkruara bruto në tregun e jo-jetës, nga 31.7 % që ishte pesha e tyre një vit më parë.
Sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-nëntor 2021 arritën rreth 6,689 milionë lekë, 24.35 % më shumë se në periudhën janar-nëntor 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 21.00 % krahasuar me periudhën janar-nëntor 2020.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2021, patën rritje me 23.85 % kundrejt periudhës janar-nëntor 2020.
Referuar AMF-së, në portofolat e “pronës, përgjegjësive, garancive” të cilat gjatë periudhës janar-nëntor 2021 siguruan mbi 3,168 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë “zjarri dhe dëmtime të tjera në prone” me rreth 59.89 %, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme me 30.48 % të totalit.
Në portofolin sigurimi nga “zjarri dhe forcat e natyrës”, gjatë periudhës janar-nëntor 2021, vihet re një rritje prej 35.10 % e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 10.19 % e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-nëntor 2020.
Të ardhurat nga sigurimet e “aksidenteve dhe shëndetit”, gjatë periudhës janar-nëntor 2021, arritën në rreth 1,077 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 14.52 % në krahasim me periudhën janar-nëntor 2020.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-nëntor 2021, arritën rreth 1,244 milionë lekë, ose 24.17 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
/r.e/























